Tiranë, 30 qershor 2014 – Arkivi britanik hedh më shumë dritë në dokumente nga mbretërimi i Zogut. Gazeta “Panorama” shkruan se Mbreti Zog kishte planifikuar të hapte një universitet shqiptar dhe kërkoi që ai të drejtohej nga Fan Noli në Tiranë, por që ky i fundit e refuzoi për arsyen se i dukej shumë e rëndësishme si detyrë. Përpara martesës së Mbretit Zog me Konteshën Geraldinë, 3 motrat e tij më të vogla zhvilluan një vizitë 1-mujore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britani. Ambasadori britanik në Uashington i shkruan ministrit të tij të Jashtëm se motrat e Zogut u pritën me një kuriozitet të madh në SHBA, aq sa thuhej se një kompani filmi në Hollivud u ofroi mundësinë që të luanin në një film.

“Në kryeqytet sigurisht doli fjala se princeshat morën një telegram ku u ofrohej një kontratë për të bërë film nga një prej kompanive më të mëdha të Hollivudit”,- shkruante ambasadori britanik në SHBA. Por, në të njëjtën letër, ai shkruan se motrat e monarkut shqiptar u takuan edhe me peshkopin Fan Noli si një mundësi për të afruar më shumë vëllain e tyre me Fan Nolin. Sipas ambasadorit britanik, kryediplomati shqiptar në SHBA, Faik Konica, tregoi një detaj mjaft interesant. Sipas tij, Mbreti Zog do të hapë një universitet në Shqipëri dhe kishte kërkuar kthimin e Fan Nolit për ta drejtuar atë. Por Noli e kishte refuzuar, jo për ndonjë shkak, por sepse i dukej një detyrë shumë e rëndësishme dhe veten nuk e shihte në lartësinë e duhur për ta kryer atë.

“Mora vesh që ato zhvilluan një vizitë të shkurtër në Boston, të cilat u pritën nga kolegu im shqiptar ambasador, dhe patën një takim me peshkopin Fan Noli, me shumë gjasa për të shëruar thyerjen mes tij dhe Mbretit Zog. Sipas një shoqëruesi të princeshave, ato vizituan dy kishat shqiptare në Boston, ku në to u dhanë lutje për Mbretin Zog dhe popullin shqiptar. Për më shumë raportohet se ambasadori Faik Konica i ka thënë shtypit se peshkopi Fan Noli do të ishte një kandidaturë e shkëlqyer për të drejtuar një universitet që Mbreti Zog pritet të hapë në Shqipëri, për të cilin peshkopi Noli ka deklaruar se: “Nuk jam kaq i zoti për një detyrë kaq të rëndësishme”, thuhet në letrën e ambasadorit britanik, shkruar në vitin 1938, e cila ruhet në arkivin britanik në Londër.

“Panorama” boton edhe një shkrim të gazetës britanike “Daily Mail”, e cila kishte intervistuar tri motrat e Mbretit Zog gjatë qëndrimit të tyre në “Ritz Hotel” në Londër. Ky artikull jep detaje mjaft interesante nga jeta mondane e motrave të Mbretit shqiptar, faktin se ato ishin mjaft moderne në veshje dhe sjellje, si dhe faktin që ato flasim për detaje për martesën e pritshme të vëllait të tyre me Geraldinën. Për herë të parë ato shprehen se Mbreti Zog do të shkonte në Romë me Geraldinën gjatë muajit të mjaltit për të kërkuar bekimin e Papës.

“Pavarësisht se vendi ynë është gjysmë oriental”, u shprehën ato, -ne nuk kemi asnjë ndrojtje të prezantojmë risi të tilla si të shkojmë rregullisht në kinema, të veshim kostume të zbuluara banjoje apo pizhame plazhi, të bëjmë make-up dhe të mos vendosim vello”. Princesha Myzejen kishte veshur një fustan “Oxford blue Georggete”, me një lidhëse të hollë të bardhë rreth qafës, të kapur me një yll prej diamanti. Princesha Ruhije kishte veshur një kostum të zi i dizenjuar për të qenë i ngushtë në bel e duke nxjerrë në pah shpatullat elegante. Princesha Maxhide kishte veshur kostum të zi, por me një stoli të artë bizantine pranë shpatullave të saj. Të tria kishin veshur këpucë me taka të zeza, të larta 2 inch, me harqe me një numër jo më të madh se 3. Të tria ishin mrekullisht elegante dhe me thonjtë e këmbëve të lyera”, thuhet në numrin e gazetës “Daily Mail” të datës 30 mars 1938.

DOKUMENTI 1

Letër e ambasadorit britanik në SHBA drejtuar ministrit të Jashtëm

Ambasada Britanike, Uashington,

30 mars 1938

I nderuar, Në lidhje me letrat e z. Andreu Ryan të datave 22 shkurt dhe 9 mars, për të cilat ai më dërgoi një kopje, kam nderin t’ju informoj se princeshat Ruhije, Maxhide dhe Myzejen, motrat e Mbretit Zog, arritën në Nju Jork nga Europa në datën 28 shkurt dhe u larguan për në shtëpi në Shqipëri në datën 23 mars. Nëpërmjet vizitës së tyre, princeshat u dukën të turpshme nga publiciteti dhe shtypi amerikan formuloi pjesën e tij të historisë, dhe në të gjeje se zonjat vizituan Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjetur burra të pasur, një sugjerim që u hodh poshtë menjëherë nga ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Faik Konica. Në kryeqytet sigurisht doli fjala se princeshat morën një telegram ku u ofrohej një kontratë për të bërë film nga njëra prej kompanive më të mëdha të Hollivudit. Gjithsesi, në aspektin tjetër vizita kaloi normalisht. Nju Jorku ishte qendra e vendosjes së princeshave, të cilat të shoqëruara nga kolegë shqiptarë erdhën në Uashington në datën 5 mars dhe u takuan me zonjën Rusvelt për një çaj në Shtëpinë e Bardhë. Mora vesh që ato zhvilluan një vizitë të shkurtër në Boston, të cilat u pritën nga kolegu im shqiptar ambasador, dhe patën një takim me peshkopin Fan Noli, me shumë gjasa për të shëruar thyerjen mes tij dhe Mbretit Zog. Sipas një shoqëruesi të princeshave, ato vizituan dy kishat shqiptare në Boston, ku në to u dhanë lutje për Mbretin Zog dhe popullin shqiptar. Për më shumë raportohet se ambasadori Faik Konica i ka thënë shtypit se peshkopi Fan Noli do të ishte një kandidaturë e shkëlqyer për të drejtuar një universitet që Mbreti Zog pritet të hapë në Shqipëri, për të cilin peshkopi Noli ka deklaruar: “Nuk jam kaq i zoti për një detyrë kaq të rëndësishme”. Mësohet se princeshat i kanë rënë sa më shkurt vizitës së tyre në SHBA, në mënyrë që ato të kthehen në Shqipëri për martesën e vëllait të tyre, Mbretit Zog, dhe kanë braktisur një udhëtim në Bregun Perëndimor, si dhe disa vizita të tjera të planifikuara në kryeqytetin amerikan.

DOKUMENTI 2

Artikulli ne “Daily Mail” për vizitën e tri motrave të Mbretit Zog në Londër, pas kthimit të tyre nga SHBA, 31 mars 1938

Titulli: Pizhame dhe makeup në Shqipëri

Autori: Ralph Heuins

Motrat e Zogut: Ne besojmë në të qenurit vajza moderne dhe po bëjmë më të mirën për të modernizuar Shqipërinë. Kështu m’u shprehën mua tri motrat shik e brune të Mbretit Zog, princesha Myzejen 28 vjeçe, princesha Maxhide 26 dhe princesha Ruhije 24, kur ato më pritën në Suitën e Luit të 16 në “Hotel Ritz” natën e kaluar. Ishte pritja e parë private që ato bënin që kur lanë Shqipërinë muajin e kaluar, për në SHBA e më pas për këtu në Britani.

“Pavarësisht se vendi ynë është gjysmë oriental”, u shprehën ato, -ne nuk kemi asnjë ndrojtje të prezantojmë risi të tilla si të shkojmë rregullisht në kinema, të veshim kostume të zbuluara banjoje apo pizhame plazhi, të bëjmë make-up dhe të mos vendosim vello”. Princesha Myzejen kishte veshur një fustan “Oxford blue Georggete”, me një lidhëse të hollë të bardhë rreth qafës të kapur me një yll prej diamanti. Princesha Ruhije kishte veshur një kostum të zi i dizenjuar për të qenë i ngushtë në bel e duke nxjerrë në pah shpatullat elegante. Princesha Maxhide kishte veshur kostum të zi, por me një stoli të artë bizantine pranë shpatullave të saj. Të tria kishin veshur këpucë me taka të zeza të larta 2 inch, me harqe, me një numër jo më të madh se 3. Të tria ishin mrekullisht elegante dhe me thonjtë e këmbëve të lyera.

MARTESA PA BEKIMIN E PAPËS

Ato m’u prezantuan nga Shkëlqesia, ambasadori shqiptar Lec Kurti dhe ishin veshur me fustane mëngjesi dhe biseda jonë u zhvillua e gjitha në frëngjisht dhe pas nesh kishim tufa të tëra me trëndafila dhe karafila të dërguar nga admiruesit e tyre. Gjatë bisedës sonë, princesha Myzejen e cila nuk e kishte vizituar më parë Britaninë e Madhe, më tha se nuk do të kishte asnjë ritual fetar në dasmës e vëllait të saj, Mbretit Zog, me të mrekullueshmen konteshë Geraldina Aponny që pritet të zhvillohet në datën 27 prill.

“Martesa do të bëhet në pallatin e vjetër në Tiranë, dhe ajo do të jetë tërësisht civile, e njëjta me çdo martesë civile të çdo vendi tjetër. Pavarësisht se fati i shqiptarëve është mysliman dhe kontesha katolike, kjo procedurë është tërësisht konstitucionale. Për më tej, do të kalohet vështirësia për të marrë aprovimin e Papës. Nuk ka asnjë dyshim që vëllai im dhe mbretëresha e tij do të vizitojnë Papën gjatë muajit të tyre të mjaltit për të marrë bekimin e tij”, tha princesha Myzejen. Nga ana tjetër, princesha Maxhide tha se kur u nisëm nga Nju Jorku me anijen “Queen Mary” nuk kishin ndërmend të vizitonin Londrën, por këmbëngulja e Myzejenit bëri që ato të ndalonin në Britaninë e Madhe.

SHOQËRUESET E NUSES

Princesha Myzejen tha më tej se për të plotësuar tekat tona i kërkuam legatës shqiptare në Londër që të na rezervonte akomodim. Princesha Ruhije dhe unë kaluam dy javë më parë në Britani dhe kemi lexuar kaq shumë për këtë vend dhe e pamë si mundësi për të mos na shpëtuar nga duart. Të premten ose të shtunën do të nisemi nxitimthi për në Shqipëri dhe do të provojmë fustanet tona. E kemi vendosur edhe me vëllain tonë sesa shoqëruese të nuses do të jenë në dasmë. Ne të tria do të jemi shoqëruese të nuses së bashku me mbesën tonë, princeshë Dounish, vajza e motrës sonë të madhe, princeshës Adile. Fustanet tona do të jenë të bardha dhe nuk do të vendosim vello

NJË DASMË MODERNE

Princesha Myzejen tha më tej se “Dasma do të jetë shumë moderne”. Princesha Myzejen shpjegoi se ajo, së bashku me motrat e saj, është ngarkuar nga vëllai i tyre, Mbreti Zog, në detyrën për të modernizuar gruan shqiptare. Ajo tha “të tria ne jemi lejtënante në ushtrinë e gruas shqiptare. Unë jam e ngarkuar në drejtimin e lëvizjes artistike moderne në Shqipëri. Myzejeni është pioniere e sportit të grave dhe Maxhidja është e ngarkuar për turizmin. Në fund princesha më tha që të shkruaj për publikun britanik se sa shumë e vlerësojnë ato “sjelljen tone” britanike, “qetësinë”, si dhe “vetëpërmbajtjen”. “Jemi kaq shumë ndryshe nga amerikanët. Na vjen shumë keq që ardhja jonë këtu ishte e paparapërgatitur”, tha princesha Ruhije.

/gazeta “Panorama”