Armando Broja ka luajtur sot ndeshjen e parë zyrtare me fanellën e Evertonit, pasi ishte testuar disa herë në miqësore brenda grupit në radhët e skuadrës angleze. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, luajti sot jo me skuadrën e parë, por me ekipin U21 në ndeshjen kundër Uatford, në mënyrë që të fillonte të merrte minutat dhe ritmin e ndeshjeve të mirëfillta pas dëmtimti të gjatë në tendinë.

Broja ishte titullar në këtë sfidë, ku e rëndësishme mbi të gjitha ishte që ai të rifillonte të kapte ritmin e ndeshjes, teksa tentoi disa herë të linte shenjën e tij me gjuajtje drejt portës.

Ai luajti vetëm në pjesën e parë dhe klubi i Evertonit shpjegoi se ishte ndërruar në pushim, ashtu siç ishte planifikuar më parë, duke qetësuar tifozët të cilët kërkonin informacione pse ai nuk ishte në fraksionin e dytë të lojës. Tani pritet që Broja të luajë një minutazh më të gjatë në një ndeshje tjetër të U21, para se t’i bashkohet skuadrës së parë të Everton.