Armando Broja debutoi mbrëmjen e djeshme me fanellën e Shqipërisë, ndërsa në ato pak minuta, ia doli të linte një shije të mirë. Sulmuesi, u aktivizua në krah i detyruar edhe prej dëmtimit të Odise Roshit, megjithatë bëri më të mirën.
Pas ndeshjes, në një prononcim për Supersport, Broja u shpreh se ka luajtur edhe më parë në të djathtë apo të majtë të sulmit, mirëpo në futboll duhet të luash në shumë pozicione. Sakaq, thekson se ekipi duhet të mbajë kokën lart pasi në të ardhmen janë mundësitë për të bërë shumë.
“Jam ndjerë shumë mirë që kam hyrë në fushë për herë të parë. Janë shumë çuna të mirë. Është një gjë e mirë të debutosh me ekipin e parë. Jam shumë i kënaqur”.
Pozicioni në krahun e djathtë- “Në futboll duhet të luash në shumë pozicione, ku të fut trajneri. Duhet të bësh një punë për ekipin. Sot u vra Roshi dhe u desh të futesha në pozicionin e tij. Nuk është pozicion që nuk e di, kam luajtur në krah të djathtë, të majtë, edhe sulmues qendre. Më shumë sulmues jam. Duhet të bëja atë pozicion për ekipin”.
Kapacitetet për gjërat e mëdha- “Jemi bërë shumë ekip i fortë. Janë shumë çuna të mirë, stërvitemi fortë dhe kemi ekip shumë të mirë. Sot kemi humbur 0-1. Kemi bërë më shumë raste, por kështu ndodh në futboll. Duhet të mbajmë kokën lartë dhe të fitojmë shumë ndeshje bashkë”, u shpreh Broja.





