Mijëra shtetas moldavë që jetojnë në kryeqytetin belg po votonin gjatë ditës në një qendër votimi të ngritur brenda ambienteve të ambasadës, kur u njoftua për një alarm për bombë.

“Janë të njëjtat taktika për të cilat kemi paralajmëruar, përpjekje për të penguar votën,” deklaroi një prej zyrtarëve moldavë pas evakuimit të njerëzve që ndodheshin aty.

Pas kontrollit të plotë nga autoritetet dhe dhënies së lejes për rikthim, procesi i votimit vijoi normalisht.

Qeveria pro-evropiane e presidentes Maia Sandu ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Rusinë për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare dhe për të minuar rrugën e Moldavisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Partia në pushtet “Veprim dhe Solidaritet” ka shprehur synimin që Moldavia të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2030.

Muajin e kaluar, këshilltari për siguri kombëtare i Moldavisë, Stanislav Secrieru, paralajmëroi se Moska mund të përpiqet të frikësojë votuesit e diasporës, shumica e të cilëve mbështesin integrimin evropian të vendit.