Në mesin e debatit për rishikimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Komisioni Europian shprehu mbështetjen për çfarëdolloj zgjidhjeje kompromisi që Kosova dhe Serbia do të arrijnë. Kështu u shpreh zëdhënësi i KE-së gjatë një konference për shtyp në Bruksel.

“Një zgjidhje e përhershme nënkupton një zgjidhje realiste, të qëndrueshme dhe të mundshme, në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare, e mbi të cilën Prishtina dhe Beogradi duhet të kenë pajtueshmëri”, tha Carlos Martin, zëdhënës i KE-së.

Nga Beogradi, zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zaharova tha se Moska do të mbështesë çdo zgjidhje përkrahet nga Serbia.

“Qëndrimi i Rusisë për çështjen e Kosovës nuk ka ndryshuar. Vendi ynë respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë. Rusia do të veprojë në respekt të vendimeve të popullit serb”, tha Maria Zaharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme Ruse.

Ndërsa ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delaui tha se Shtetet e Bashkruara vijojnë ta mbështesin fuqishëm pavarësinë e Kosovës, pavarësisht spekullimeve në mediat serbe.