Brukseli ka hapur një hetim ndaj platformës së komunikimit Snapchat, mes shqetësimeve se aplikacioni mund të ekspozojë fëmijët ndaj joshjes online, shfrytëzimit seksual dhe formave të tjera të kriminalitetit.

Në një vendim të veçantë të enjten, Komisioni Evropian njoftoi gjithashtu se katër faqe pornografike nuk po arrijnë të parandalojnë aksesin e të miturve në përmbajtje për të rritur.

Hetimet ndaj pesë kompanive teknologjike janë nisur në kuadër të Akti për Shërbimet Digjitale (DSA), i cili synon të mbrojë shoqërinë evropiane nga një gamë e gjerë rreziqesh në internet, përfshirë bullizmin online, ekspozimin ndaj përmbajtjeve për të rritur dhe produkteve të paligjshme. Ky akt është kritikuar nga Donald Trump që prej hyrjes së tij në fuqi dy vite më parë.

Njoftimet vijnë pas një vendimi të rëndësishëm të një gjykate në Los Angeles, e cila konstatoi se kompanitë Meta dhe YouTube kishin krijuar qëllimisht produkte që shkaktonin varësi dhe dëmtonin përdorues të rinj. Ndërkohë, Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë për të ndjekur shembullin e Australisë dhe për të ndaluar rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç.

Duke hapur çështjen e parë ndaj Snapchat, Komisioni tha se dyshon që aplikacioni po lejon abuzimin e shërbimeve të tij nga të rritur që paraqiten si të mitur për të joshur fëmijë drejt shfrytëzimit seksual dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Rregullatorët shprehin shqetësime edhe për përdorimin e platformës si burim informacioni për droga dhe produkte me kufizim moshe, si alkooli dhe cigaret elektronike.

Snapchat raporton rreth 94.7 milionë përdorues aktivë në muaj në BE dhe është veçanërisht popullor mes adoleshentëve dhe të rinjve.

Sipas kushteve të përdorimit të platformës, përdoruesit duhet të jenë të paktën 13 vjeç. Megjithatë, rregullatorët evropianë besojnë se kompania nuk po garanton zbatimin efektiv të këtij kufiri moshor. Ata gjithashtu vlerësojnë se përdoruesit nuk marrin udhëzime të mjaftueshme mbi privatësinë dhe sigurinë, ndërsa mekanizmat për raportimin e përmbajtjeve të paligjshme nuk janë miqësorë për përdoruesit.

Vendimi i fundit i hap rrugë një hetimi të detajuar, gjatë të cilit autoritetet e BE-së mund të kërkojnë masa parandaluese për mbrojtjen e fëmijëve, përpara një vendimi përfundimtar.

Në reagimin e saj, një zëdhënës i Snapchat deklaroi se siguria dhe mirëqenia e përdoruesve janë prioritet kryesor. Sipas tij, platforma është ndërtuar për të mundësuar komunikim të sigurt mes miqve dhe familjarëve, me mekanizma të integruar për privatësi dhe mbrojtje, përfshirë masa shtesë për adoleshentët.

Në një njoftim tjetër, Komisioni Evropian akuzoi katër faqe pornografike, Pornhub, Stripchat, XNXX dhe XVideos se nuk kanë vendosur mekanizma efektivë për të ndaluar aksesin e të miturve në përmbajtje për të rritur. Pas një hetimi të nisur në maj të vitit të kaluar, Komisioni arriti në përfundimin se këto platforma nuk kanë identifikuar dhe vlerësuar në mënyrë të kujdesshme rreziqet që paraqesin për të miturit.

Aktualisht, përdoruesit mund të hyjnë në këto faqe thjesht duke deklaruar se janë mbi 18 vjeç, një sistem që rregullatorët e konsiderojnë të paefektshëm.

Kompanitë kanë mundësi të shqyrtojnë gjetjet përpara se të merret një vendim përfundimtar. Ato mund të shmangin sanksionet duke vendosur sisteme të besueshme verifikimi të moshës. Në të kundërt, nëse shkeljet konfirmohen, mund të përballen me gjoba deri në 6% të xhiros globale vjetore.

Kompanitë mëmë të Pornhub dhe Stripchat janë kontaktuar për koment, ndërsa një avokat me bazë në Bruksel, i cili më parë ka përfaqësuar kompanitë mëmë të XVideos dhe XNXX në procese ligjore në BE, është kontaktuar gjithashtu për një reagim.