Presioni i Brukselit ndaj institucioneve të Kosovës vazhdimisht po rritet sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kësaj radhe, Burkesli i ka caktuar afat palës kosovare se kur duhen ta hartojnë statutin e këtij Asociacioni.
Në faqen zyrtare të saj, Bashkimi Evropian vlerëson se njoftimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për dhënien e mandatit ekipit menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit-Komunitetit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është shumë i mirëpritur.
“Procesi i hartimit të Statutit ka filluar dhe do të bëhet brenda një afati kohor prej katër muajsh.
Ky hap i shumëpritur lejon zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi Shoqatën / Komunitetin e komunave me shumicë serbe, e cila është një detyrim që Kosova ndërmori në dialogun e lehtësuar të BE-së, marrëveshjet e Brukselit të Prillit 2013 dhe Gusht 2015”,-thuhet në njoftimin e tyre.
BE thekson se do të ftojë kryenegociatorët nga Beogradi dhe Prishtina, ekipet e tyre, ekipin drejtues dhe ekspertët teknikë për diskutime në Bruksel, për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në procesin e hartimit.