PRISHTINE, 24 mars 2013 – Brukseli zyrtar është duke insistuar me çdo kusht që të arrihet një marrëveshje për veriun e Kosovës deri në javën e parë të prillit. Nëse marrëveshja arrihet atëherë krijohen premisat që Serbisë t’i konfirmohet data për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sikur kjo të mos ndodhë, sipas një burimi të Kohës Ditore, Serbia rrezikon të vonohet në proces për shkak të anëtarësimit të Kroacisë në BE.  

Kroacia i ka përfunduar bisedimet me Komisionin Evropian dhe 1 korriku është data e pranimit në BE. Kësisoj, do të bëhet i dyti vend i ish-Jugosllavisë, pas Sllovenisë, që i bashkohet bllokut. Vendet anëtare kanë të drejtën e vetos në raport me anëtarësimin e vendeve aspirante. Një burim i gazetës, i përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se zyrtarët e BE-së e dinë që kushte të reja në rrugën drejt anëtarësimit do t’i vihen Serbisë pas 1 korrikut, ngaqë me këtë shtet Kroacia ka shumë probleme të hapura.

“Serbia ngutet më shumë sesa Kosova që tani të ketë një zgjidhje dhe datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në bllok ta marrë në qershor. Brukseli nuk do që të humbet ky moment, prandaj edhe po tregohet kaq këmbëngulës për të pasur një marrëveshje”, ka thënë një burim i Kohës Ditore. “Pas 1 korrikut, Brukseli nuk do të ketë kushtëzime për Serbinë vetëm në raport me Kosovën”, përfundon burimi.