DURRËS, 10 shkurt 2015 – Tani Tirana zyrtare po ndërgjegjësohet se çfarë rëndësi i jep Brukseli modernizimit të hekurudhave. Të martën, më 10 shkurt 2015 filloi punimet në Tiranë konferenca hekurudhore “Modernizimi i hekurudhave si motor rritjeje për Evropën Juglindore” nën kujdesin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Ngjarja u përqendrua në fushat kryesore që kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë viteve të fundit, në veçanti, reformat hekurudhore, çështje të caktuara kufitare dhe investimet. Pjesëmarrësit diskutuan mbi reformat hekurudhore si mbështetje për zhvillimin e ardhshëm multimodal dhe ekonomik të Evropës Juglindore dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe prioritetet rajonale hekurudhore, nevojat e infrastrukturës kundrejt mekanizmave në dispozicion të financimit.
SEECP-i (Procesi i Bashkëpunimit i Evropës Juglindore) është forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore që synon bashkëpunimin për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, politik dhe shoqëror të të gjithë vendeve të rajonit. Ai përbëhet nga 13 vende anëtare. Në takimin e së martës, ku marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha vendet e këtij procesi përgjegjës për transportin hekurudhor, së bashku me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, Komisioni Evropian, institucione ndërkombëtare financiare dhe menaxhere projektesh nga projektet dhe nismat përkatëse. Ky takim u fokusua në dy tryeza të rrumbullakëta, njëra për të diskutuar reformën legjislative dhe institucionale në hekurudhë duke i venë theks thellimit të bashkëpunimit rajonal në zbatimin e masave të buta (soft measures), kërkesave horizontale dhe kapërcimit të barrierave jo-fizike. Tryeza tjetër u fokusua mbi projektet prioritare rajonale të propozuara, nevojat në infrastrukturë dhe mundësitë financiare për të përballuar zhvillimin e infrastrukturës. Takimi në nivel ekspertësh pritet t’i japë shtysë zbatimit më të shpejtë të veprimeve kyçe të transportit të Shtyllës së Rritjes së Qëndrueshme së Strategjisë SEE2020 si dhe të Planit të Zhvillimit të Rrjetit Gjithëpërfshirës së SEETO-s 2014 dhe objektivave kryesore për një politikë transporti më të koordinuar të identifikuara në këtë Plan.
MINISTRI HAXHINASTO
Ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, që mori pjesë më 10 shkurt 2015, në takimin rajonal, tha se transporti hekurudhor është e ardhmja rajonale për zhvillimin ekonomik dhe punësimin. Ai njohu pjesëmarrësit nga vendet e rajonit dhe nga institucionet ndërkombëtare të angazhuara në këtë sektor, me prioritetet e Shqipërisë që mbështeten në zhvillimin infrastrukturor dhe atë legjislativ për transportin hekurudhor.
Haxhinasto konfirmoi se po ndërmerren hapa konkretë në këtë kuadër, duke veçuar miratimin e Kodit të ri Hekurudhor në Shqipëri brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, projektet e përmirësimit infrastrukturor të stacioneve hekurudhore, konkludimin e inventarizimit të hekurudhës shqiptare dhe rikontruktimin e kompanisë hekurudhore bazuar në praktikat më të mira evropiane. Ministri Haxhinasto konsideroi si të rëndësishme rilidhjen me portin e Durrësit dhe objektiv të afërt lidhjen hekurudhore me portet e Vlorës dhe Shëngjinit. Vlerësoi mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për projektin aktual të linjës Durrës-Rinas-Tiranë dhe kërkoi intensifikim të marrëdhënieve me institucionet homologe në Maqedoni për lidhjen Durrës-Shkup dhe më gjerë për projektet që përfshihen në Korridorin VIII, Shqipëri-Maqedoni-Bullgari. Në vijim të projekteve në këtë sektor u veçuan nga Ministri Haxhinasto dhe aplikimi për fonde për realizimin e studimit të fizibilitetit për linjën Shqipëri-Kosovë dhe përmirësimin e linjës aktuale me Malin e Zi.
Ministri Haxhinasto u kërkoi përfaqësuesve të vendeve anëtare të SEECP të angazhohen për intensifikimin e marrëdhënieve në koordinimin për zhvillimin rajonal, si dhe përshpejtimin për heqjen e barrierave fizike dhe standardizimin legjislativ dhe teknik të infrastrukturës
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





