Brukseli zyrtar vijon t’i bëjë thirrje qeverisë dhe opozitës në nisin negociatat për tejkalimin e situatës së vështirë në të cilën është futur vendi, duke paralajmëruar edhe se djegia e mandateve minon progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Zëdhënësja e Maja Kocijancic tha se Komisioni Europian edhe më herët kishte shprehur pritshmërinë e fortë “që qeveria dhe opozita të përfshihen në diskutime konstruktive me synim tejkalimin e situatës aktuale politike në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.”

“Ajo që mund të bën është të nënvizoj qartë atë që eurokomisioneri Hahn dhe zv/Presidentja e Komisionit Europian Mogherini kanë thënë tashmë javën e kaluar. Sa u përket protestave ata kanë riafirmuar edhe njëherë të drejtën e qytetarëve për të protestuar të lirë si një e drejtë thelbësore e demokracisë, por në të njëjtën kohë ata kanë denoncuar me forcë çdo retorikë politike për dhunë, të cilën e kemi dëgjuar”, tha Kocijancic.

Djegia e mandateve në pikëpamjen e Komisionit Europian dëmton rëndë funksionimin e demokracisë parlamentare dhe minon progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“Sa i përket për dorëzimit të mandatave, vendimi i opozitës në pikëpamjen tonë dëmton rëndë funksionimin e demokracisë parlamentare, pasi parlamenti është vendi ku diskutohen zhvillimet dhe reformat dhe jo bojkotohen. Këto vendime janë jo produktive dhe shkojnë kundër vendime që kanë marrë qytetarët shqiptarë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ne presim që të gjithë anëtarët e Parlamentit të mbrojnë idetë dhe principet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në parlament dhe të marrin masat e nevojshme për të shmangur dhunën.” /TvKlan