Zyrtarët europianë po diskutojnë për mekanizmin e rikthimit të përkohshëm të sistemit të vizave
Hapat e mëtejshëm pritet të ndërmerren në takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian
Rritja e numrit të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian duket se ka filluar të bjerë si këmbanë alarmi për Brukselin. Megjithë shqetësimin e ngritur herë pas here dhe apelin drejtuar vendeve që përfituan nga liberalizimi i vizave për një kontroll më të mirë të situatës, gjendja duket se po përkeqësohet. E kjo mund t’a shtyjë Brukselin të rikthejë sistemin e vizave dhe kontrolleve kufitare. Vendet europiane kohë pas kohe kanë vënë në dukje faktin se muaj pas muaji shtetas të ndryshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ishin të fundit që përfituan nga liberalizimi i vizave janë dyndur në shtete të ndryshme për të kërkuar azil. Tendenca duket se nuk po ka të ndalur, prandaj dhe ministrat e brendshëm të Bashkimit Europian po e mendojnë tani seriozisht rikthimin e vizave apo forcimin e kontrolleve kufitare edhe mes vendeve te BE-së. Në takimin e fundit në Bruksel, të mbajtur në fillim të kësaj jave ministrat firmosën një dokument në të cilin thuhej se sfidat e paraqitura nga situata e fundit emigruese minojnë besimin e BE-së. Rritja e fluksit të emigrantëve të paligjshëm dhe i azilkërkuesve në vendet e zonës Shengen mund të kthehet në shqetësim për sigurinë e brendshme nënvizohej në raport.
Në dokument thuhej gjithashtu se vendosja e këtij mekanizmi emergjence nuk do të jetë në dëm të lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Idetë për rivendosjen e kontrolleve kufitare brenda kësaj zone pritet të jenë temë e diskutimeve në të ardhmen në tryezën e ministrave të Jashtëm të Brukselit. Edhe kohë më parë Brukseli e pati ngritur një shqetësim të tillë, duke kërcënuar vendet nga vinte numri më i madh i azilkërkuesve për të marrë masa urgjente për ndërprerjen e fluksit të emigrantëve, në të kundërt sistemi i vizave do të rikthehej. Sipas ideuesve të kësaj mase, që ende nuk e ka marrë dritën jeshile, vendet anëtare të BE-së kërkojnë që një mekanizëm i tillë sigurie të ekzistojë, për të bërë të mundur që ata të kenë besim se mund të vijojë proçesi i liberalizimit të vizave edhe me vendet e tjera, që nuk kanë përfituar ende. Në rast se unioni do të përballej me raste emergjente, atëherë ai do të kishte një mekanizëm të tillë për të rivendosur përkohësisht vizat, nëse do të konstatohej rritje e mundshme e fluksit të emigranteve apo ndonjë keqpërdorim tjetër i regjimit pa viza.
Për zyrtarët europianë ky është një mekanizëm sigurie për rastet urgjente. Edhe nëse do të verifikohen situata emergjence vendi ose vendet që do të përballen me raste të tilla do të njoftojnë Komisionin Europian dhe rikthimi i sistemit të vizave nuk do të bëhej menjëherë, por pas një proçesi vlerësues nga Komisioni. Po sipas zyrtarëve të Brukselit ka gjasa që kërkesa e një apo më shumë vendeve anëtare për rivendosjen e regjimit të vizave të refuzohet. Por edhe nëse do të miratohet pezullimi i lëvizjes së lirë, kjo masë do të aplikohet vetëm përkohësisht. Në rastet kur një ose disa vende do të kërkojnë rikthimin e regjimit të vizave Komisioni Europian nuk do të bazohet vetëm në lajmërimin e një apo më shumë vendeve anëtare, por dhe në qëndrimin e Agjensisë Europiane për Azil, vlerësimin e Shërbimit Europian për Veprimin e Jashtëm e në fund KE-ja do të shprehet Po ose Jo për të vijuar me pezullimin e përkohshëm, ose për mos rikthimin e regjimit të përkohshëm të vizave. Tanja Fajon, anëtarja sllovene e Parlamentit Evropian dhe anëtarja e Komisionit të Lirive Civile, Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme (LIBE), që është përgjegjëse për shumicën e legjislacionit dhe mbikqyrjen e politikave të BE-së mbi lirinë, sigurinë dhe drejtësinë e njeh nga afër këtë problem. Në një intervistë për SETimes Fajon shprehet se,- “ka shifra shqetësuese për azil-kërkues të rremë në disa nga vendet anëtare të BE-së.
Që të pesë vendet ballkanike, që përfituan vitet e fundit nga liberalizimi i vizave i kanë plotësuar kriteret shumë të forta për regjimin pa viza, qeveritë kanë marrë masa shumë të rëndësishme kundër abuzimeve me sistemin. Tani është e nevojshme të vazhdohet me zbatimin dhe konsolidimin e të gjitha përpjekjeve për të luftuar abuzuesit e sistemit. Sinqerisht shpresoj që në të ardhmen qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të mos u kërkohet kurrë më një vizë për të udhëtuar në BE”. Siç vihet re edhe nga deklarata e Fajon nëse problemi do të vazhdojë të mos gjejë zgjidhje, Brukseli ndoshta do t’a rishikojë liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit perëndimor. Sipas komisioneres europiane, që luajti një rol deçiziv në proçesin e liberalizimit të vizave për vendin tonë, problemet më të mëdha po ndeshen me vende si Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë Hercegovina. “Po shohim mbërritjen e azil-kërkuesve të rremë nga Serbia, Maqedonia, madje edhe nga Bosnjë Hercegovina në disa nga vendet anëtare të BE-së. Eshtë e rëndësishme që qeveritë në rajon të ndërmarrin hapa konkretë dhe të menjëhershëm kundër këtyre abuzimeve, si dhe të sigurojnë që njerëzit të jenë në dijeni për rreziqet. Pas një vale të re emigrantësh nga vendet arabe dhe afrikane në fillim të këtij viti, disa nga vendet anëtare kanë filluar të vënë në pikëpyetje rregullat e Shengenit, gjë që përbën shqetësim të madh”,- thotë Fajon.
Aktualisht institucionet e Bashkimit Europian dhe vendet anëtare të këtij organizmi po monitorojnë me shumë kujdes situatën. Nëse flukset emigratore do të vazhdojnë në të njëjtën masë, nuk është çudi që BE-ja të nisë aplikimin e mekanizmit të përkohshëm të vizave. Ky mekanizëm është ende në fazën e idesë, por në një kohë kur i gjithë kontinenti po përballet me një situatë të vështirë ekonomike (me frikën e falimentimit të disa vendeve të zonës euro e në një kohë kur askush nuk di të thotë me siguri të plotë se cili do të jetë në të ardhmen fati i monedhës së përbashkët) në rast se do të konstatohen emergjenca me numrin e azilkërkuesve, Brukseli mund të miratojë pezullimin e proçesit të liberalizimit të vizave për një ose disa vende. “Për momentin, jemi në mes të bisedimeve mes institucioneve të BE-së në lidhje me futjen e një mekanizmi për pezullimin e përkohshëm të kërkesave për vizë në rast të një rritje të papritur të emigrantëve të paligjshëm dhe azilkërkuesve. Jam raportuese vëzhguese për këtë çështje në Komisionin LIBE. E mbështes propozimin e KE-së për të zbatuar këtë mekanizëm vetëm në rast të një emergjence.
Por, nuk jam dakort me kufirin e rritjes prej 50% në shifra të emigracionit. Rreziku i pezullimit të regjimit pa viza do të jetë sigurisht një kërcënim, sapo të miratohet ky dokument nga institucionet e BE-së”,- thotë komisionerja sllovene. E ndodhur para një situate të tillë ajo vijon duke thënë se,- “ekziston gjithashtu rreziku i kthimit të shtetasve të një vendi të tretë në listën e zezë në rast se rregullat shkelen rëndë. Prandaj u bëj thirrje qeverive rajonale që të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të parandaluar që qytetarët të abuzojnë me sistemin”. Aplikimi i një mekanizmi të tillë (nëse do të aprovohet) mund të penalizojë vetëm vendin ose vendet nga vijnë pjesa më e konsiderueshme e azilkërkuesve, por nuk përjashtohet mundësia që të aplikohet “dënimi” në grup. Në rastin më të mirë mund të penalizohet vetëm njëri nga shtetet, ndërsa në rastin më të keq regjimi i vizave mund të rikthehet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që përfituan nga ky proçes. Komisionerja Fajon shprehet se nëse organizmat e BE-së do të vihen para një zgjedhjeje të tillë, ata do të vlerësojnë situatën në fillim, për të menduar më pas për masat e ndëshkimet që do të aplikohen. “Nëse ndodh një rritje e papritur, fillimisht do të vlerësojmë faktet dhe më pas do të vendosim mbi masat që do të merren. Këtu besoj se është shumë e rëndësishme që edhe PE-ja të luajë një rol të rëndësishëm.
Nuk duhet të merret një vendim pa u këshilluar me të tre institucionet. Kjo është diçka që po përpiqemi të arrijmë gjithashtu tani”,- thotë ajo. Në një kohë kur stabiliteti makro-ekonomik europian është tronditur ndjeshëm, Fajon thotë se problemet me azilkërkuesit dhe emigrantët e paligjshëm mund të shfrytëzohen politikisht nga qeveritë e vendeve të ndryshme. “Megjithëse është një dokument shumë teknik, do të ketë një ndikim të madh politik. Disa vende anëtare do të dëshironin të shihnin rregulla shumë të forta që do t'u lejonin të prezantonin pezullim të menjëhershëm. Kam besim se KE-ja dhe presidenca polake do të gjejnë një kompromis të mirë në fund. Regjimi pa viza është një hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE, veçanërisht për brezin e ri. Kemi nevojë të punojmë së bashku për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane dhe, hap pas hapi, t'i sjellim të gjitha vendet e rajonit më pranë BE-së. Ajo do të nënkuptonte jo vetëm stabilitet dhe begati, por edhe liri më të madhe lëvizje për të gjithë”,- nënvizon Fajon. Pra rreziku nëse miratohet ky mekanizëm emergjence qëndron në faktin se qeveritë e disa vende mund të ndërmarrin vendime të forta, vetëm për të fituar kredibilitet politik, ndërkohë që pasojat e heqjes së liberalizimit të vizave për vendet që tashmë po e gëzojnë këtë të drejtë do të jenë mjaft negative.