Nga Gladiola  Busulla

DURRËS, 20 nëntor 2014 –  Profil qytetar: Dr. Brunilda Zenelaga. Pedagoge pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, profesoreshë e lëndëve: sociologji edukimi, sociologji e proceseve migratore etj., me një numër të konsiderueshëm artikujsh kërkimorë të botuar brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, në biografinë e saj shënohen përvoja akademike në universitetet “Montpelier III” në Francë dhe “Universita Degli Studi” në Sienë, Itali.

–         Brunildë, si nisi rrugëtimi juaj në fushën e sociologjisë?

Vendimin për të studiuar sociologji e mora në maturë. Ishte viti 1995 dhe sociologjia ishte ende një fushë e paeksploruar dhe kjo më intrigonte asokohe. Gjatë viteve të fakultetit, teksa njohuritë e mia thelloheshin gjithnjë e më tepër, fillova t’u përkushtohesha konkretisht ministudimeve dhe rrita kërkesat ndaj vetes në këtë fushë. Për më tepër që Shqipëria ishte dhe vazhdon të jetë një laborator i mirëfilltë, ku mund të zhvillosh studime të kësaj natyre.

–         Nga këndvështrimi juaj si sociologe, si shfaqet panorama sociale e Shqipërisë sot?

Nisur nga këndvështrimi im, shoqëria shqiptare ndodhet në një konfuzion vlerash; duam t’i largohemi tradicionales për të përqafuar atë çfarë na servirin modelet e shoqërive të tjera, mirëpo këtë nuk e bëjmë aspak natyrshëm, por në mënyrë të sforcuar. Si rrjedhojë, dhe ndryshimi rezulton jo plotësisht i suksesshëm.

–         Sipas jush, cili është roli i sociologëve në vendin tonë?

 Sikurse e përmenda dhe më sipër, Shqipëria është një laborator studimesh në fushën e sociologjisë. Megjithatë, profesioni i sociologut është disi i painstitucionalizuar, duke u fokusuar kështu në kornizat e mësimdhënies dhe pjesërisht në debate televizive, ku sociologët luajnë më tepër rolin e opinionistëve, sesa sociologut të mirëfilltë. Meqenëse, pjesa më e madhe e sociologëve janë relativisht të rinj në moshë (siç u shpreha më parë, është një lëmë në proces zhvillimi), atyre nuk iu krijohet hapësira e duhur për të manifestuar kapacitetin si profesionistë apo studiues e kërkues të mirëfilltë të shoqërisë dhe fenomeneve sociale.

–         Realisht Brunildë, sa mbështeten financiarisht studimet e sociologëve në vendin tonë?

Me keqardhje do të pohoja se kjo ndodh në kufijtë e minimales, pasi ekziston një lloj skepticizmi mbi këto lloj studimesh dhe përgjithësisht mbi funksionin e sociologut në Shqipëri. Është për të ardhur keq vërtet, sepse na rrethojnë mjaft studiues të rinj e novatorë, me ide e projekte që ngulmojnë t’i vënë në jetë. Nga ana tjetër, mungesa e burimeve financiare i penalizon në atë shkallë që këto ide të mbeten në kuadrin e skicave, temave bisedore mes kolegësh apo ëndrrave në sirtar.

–         Cila është përvoja juaj si doktore e kësaj fushe?

Pavarësisht studimeve, në të cilat jam përfshirë përgjatë një harku kohor prej një dekade e gjysmë, ajo që më ka bërë të rritem profesionalisht ishte kërkimi i doktoraturës, të cilin e realizova praktikisht me emigrantët shqiptarë në Itali, dhe më pas e mbrojta pranë Universitetit të Tiranës, nën udhëheqjen e profesorit të mirënjohur Zyhdi Dervishi. Do të theksoja faktin, se kam mbetur veçanërisht e impresionuar nga mënyra se si bashkëpunova me emigrantët. Ishin të përzemërt, dashamirës, të prirur për të treguar eksperiencat e tyre pa komplekse, pa paragjykime, gjithnjë në funksion të studimit tim. U jam mirënjohëse sepse më thjeshtuan punën, siç rrallëherë jemi të gatshëm të sillemi ne, shqiptarët e Shqipërisë. Falë këtij kërkimi, konstatova me kënaqësi se emigrantët shqiptarët në Itali, po konservojnë pjesën më të bukur dhe më të shëndetshme të traditës sonë.

–         Ç’mesazh do t’u përcillnit lexuesve të Portalit tonë?

Në këtë botë, ku çdo gjë përdoret dhe hidhet, marrëdhëniet mes njerëzve duhen ruajtur me kujdes, sepse ato kanë vlerë të përjetshme.