TIRANE, 9 prill 2013- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka raportuar sot në Komisionin e Ekonomisë për veprimtarinë e BSH-së për vitin 2012-të. 

Sipas guvernatorit, “Banka e Shqipërisë ka përmbushur detyrat ligjore gjatë 2012-s”. Ai tha se gjatë këtij viti inflacioni ka qënë nën kontroll. “Inflacioni gjatë 2012-ës ka qënë nën kontroll, 2%”. 

Për ekonominë, siç theksoi numri një i Bankës së Shqipërisë, 2012-ta ka qënë një vit i vështirë. 

“Viti 2012 i vështirë për ekonominë. Eksportet ranë për shkak të krizës te fqinjët. Rënia e kërkesës në vend vjen për shkak të pasigurisë. Ndikoi negativisht edhe moti i keq në tremujorin e parë të 2012-s”, tha Fullani. 

“Gjatë vitit 2012-të ekonomia u zhvillua nën potenciale”, tha ai më tej.

Guvernatori Fullani nga ana e tij sqaroi se, “Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme në parashikimet për rritjen. Parashikimi ynë është pranë shifrave të INSTAT”, tha ai. 

Duke folur për paketën e BSH për nxitjen e kreditimit, Fullani tha se hartimi i saj është asistuar nga BB dhe FMN.

“Paketa parashikon ristrukturimin e procesit të kreditimit. Qeveria duhet të shlyejë borxhet ndaj biznesit. Duhet të krijohet rregull që të mos krijohen me borxhe. Modeli ekonomik duhet të orientohet drejt rritjes së prodhimit”, tha ai më tej. 
Në kundërpërgjigje deputeti i PS-së Arben Malaj deklaroi se qeveria nuk po i shlyen borxhet por po i trashëgon ato.