Kredia e biznesit për investime u zgjerua përsëri me ritme të larta vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli total arriti në fund të dhjetorit 2025 vlerën e 316.6 miliardë lekëve ose rreth 3.25 miliardë eurove. Krahasuar me një vit më parë, portofoli i kredisë për biznesin është rritur me 13.2%.

Portofoli i kredisë për investime përfshin kryesisht kreditë e lidhura me blerjen e pasurive të paluajtshme dhe me blerjen e makinerive dhe pajisjeve.

Ecuria e mirë e ekonomisë shqiptare në vitet e fundit, veçanërisht në sektorët e lidhur me pasuritë e paluajtshme dhe shërbimet turistike, kanë mbështetur edhe rritjen e investimeve të reja të bizneseve. Kredia për investime ka vazhduar të rritet me ritme dyshifrore gjatë vitit 2025, në të dy segmentet e saj kryesorë.

Kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme nga bizneset arriti vlerën e 216.4 miliardë lekëve, 14.3% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërsa kredia për blerjen e makinerive dhe pajisjeve arriti në 100.2 miliardë lekë, 10.9% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2024.

Cikli pozitiv i ekonomisë shqiptare në vitet e fundit ka ndikuar pozitivisht edhe investimet e reja të bizneseve, veçanërisht në prona. Në veçanti, rritja e turizmit ka rritur kërkesën për kapacitete të reja akomoduese dhe ka nxitur rritjen e investimeve në hotele.

Gjithashtu, rritja e tregut të pasurive të paluajtshme dhe perceptimi pozitiv rreth zhvillimeve në këtë treg duket se ka nxitur edhe investimet për ndërtime me përdorim të natyrës tregtare apo industriale. Tendenca në rritje e investimeve në pasuri të paluajtshme po dëshmohet paralelisht edhe nga rritja e financimeve bankare për këtë qëllim.

Normat e ulëta të interesit dhe oferta e lartë e sektorit bankar për kredi kanë ndikuar gjithashtu në nxitjen e investimeve të biznesit në prona. Megjithatë, kjo ka rritur edhe ekspozimin e sektorit bankar ndaj zhvillimeve eventuale të pafavorshme në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Në shumicën dërrmuese të rasteve, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më tipik, vetë prona e blerë me kredi). Një krizë e mundshme në tregun e pasurive të paluajtshme do të ulte vlerën e kolateralit dhe do të ekspozonte bankat ndaj rreziqeve për humbje nga kreditë.

Me qëllim uljen e ritmeve të rritjes së kreditimit, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa masa frenues enë vitet e fundit, si aplikimi i një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të bankave apo vendosja e disa kritereve të detyrueshme në administrimin e rrezikut, në kreditimin për blerjen e banesave nga individët./Monitor.al