TIRANE, 04 mars 2013- Banka Qendrore ka hartuar për herë të parë një paketë masash unike në rajon dhe Evropën Juglindore, që synon të japë një stimul të ri gjallërimit të kreditimit të ekonomisë dhe stabilitet afatgjatë makroekonomik. 

Guveratori i BSH-së, Ardian Fullani i pranishëm sot në Forumin me temë: “Kreditimi i ekonomisë dhe shëndeti afatgjatë i sistemit bankar” që zhvilloi punimet në Tiranë me përfaqësues të bankave tregtare dhe të biznesit, tha se,” kjo paketë e re, ka tre shtylla kryesore: anën ligjore të fokusuar kryesisht në ekzekutimin e kolateralit, në masat që duhen marrë që bankat të kenë mundësi të ekzekutojnë në kohë kolateralin dhe të zhvillojmë tregun e shitblerjes së tij, ta bëjmë këtë treg sa më efektiv, ta zgjerojmë dhe thellojmë. Së dyti, masa të rëndësishme të politikës monetare për ta bërë atë sa më efektive. Kjo do t’i japë mundësi mekanizmit të transmisionit të jetë sa më efektiv. Dhe e treta që është më e rëndësishmja, është shtylla e makro-prudencës”. 

Duke sjellë në vëmendje zhvillimet ekonomike gjatë vitit 2012, Fullani tha se viti që lamë pas ishte një vit sfide për ekonominë tonë, e cila në kushtet e krizës shënoi rritje pozitive dhe rritje të ekuilibrave makroekonomik, ndonëse trendi rritës ka qenë i ngadaltë, favorizuar kjo nga shtrëngimi i kreditimit. 

Gjithsesi tha Fullani, sistemi bankar ka qenë i qëndrueshëm dhe likuid. Politika monetare ka ndërmarrë vendime të qarta stimuluese ndaj aktivitetit ekonomik, duke ulur 6 herë radhazi normën bazë të interesit të lekut duke e pozicionuar atë në nivelin me ulët historik 3,75%. “Masat që do të ndërmarrë BSH-ja synojnë forcimin e bashkëpunimit mes bankave dhe biznesit, ndërkohë që miratimi i ndryshimeve ligjore për ekzekutimin e kolateralit do të çlirojë kreditimin për biznesin, faktor i zhvillimit ekonomik”, tha Fullani.