Bankat po japin më pak kredi, duke vijuar kushtet shtrënguese në kreditim. Ndërkohë po vihet re një tendencë e qytetarëve dhe bizneseve për të marrë kredi në lekë. Huaja në monedhën vendase preferohet më shumë pasi interesi konsiderohet më i ulët. Ndërsa në valutë, interesi i kredisë rritet për shkak edhe të luhatjes së kursit të këmbimit. Sipas shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në fund të tetorit, portofoli i kredisë në valutë ra në 62 % të totalit, nga 65 % që ishte në fund të vitit të kaluar.

Ndonëse kredia në valutë vazhdon të ketë epërsi, një nga pasojat e krizës është shtytja e kredisë drejt monedhës vendase. Kreditë në valutë për kredimarrësit me të ardhura në lekë vlerësohen me një koeficient më të lartë rreziku për qëllimin e mjaftueshmërisë së kapitalit të bankave. Rritja e kredisë në lekë është në kahun pozitiv të politikave të Bankës së Shqipërisë, për të ulur kreditimin në valutë. Por niveli i kreditimit në ekonomi, mbetet i ulët sipas raporti të Bankës, për 3 mujorin e tretë të vitit. 

Kredia për ekonominë në tremujorin e tretë të vitit, ka shfaqur ngadalësim të normës vjetore të rritjes, e cila shënoi 6.5 %, nga 10.8 % dhe 12.2 % që shënonte përkatësisht në fund të tremujorit të parë të këtij viti dhe në fund të vitit të kaluar. Sipas raportit, në një masë të madhe, ky ngadalësim reflekton kërkesën e ulët të sektorit privat për financim, të kushtëzuar nga aktiviteti i dobët ekonomik në vend dhe pasiguritë për të ardhmen.

Kreditimi në monedhën vendase gjatë tremujorit të tretë, vijon të shfaqë një performancë të mirë. Kredia në lekë tregon për një normë rritjeje vjetore prej 16.6 %, e ndikuar plotësisht nga ecuria e portofolit të kredisë së bizneseve. Kredia në lekë për individët ka qenë e ulët, ndërsa kredia e bizneseve në lekë është mbështetur kryesisht nga kreditimi për nevoja likuiditeti në lekë të bizneseve dhe më pak nga kreditimi për nevoja të investimeve.