TIRANE – Banka e Shqipërisë ul në minimumin historik të 3.75% koston e lekut, në përpjekje për të stimuluar ekonominë. “Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos të ulë normën bazë të interesit me 0.25%. Lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare do të ndihmojë në respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme. Rritja e prodhimit nuk është reflektuar në uljen e pasigurive të përgjithshme, të cilat frenojnë konsumin dhe njëkohësisht investimet private, si dhe ndikojnë në reduktimin e kërkesës dhe të ofertës për kredi”- u shpreh Guvernatori Ardian Fullani. 

Ulja e kostos së lekut nga Banka Qendrore pritet të shoqërohet me një rënie të interesave të kredive të reja dhe depozitave në monedhën vendase. Guvernatori Fullani e vlerësoi si të shëndetshme gjendjen e sistemit bankar. 

“Banka e Shqipërisë beson se qëndrueshmëria afatgjatë e borxhit publik dhe kufizimi i huamarrjes publike në tregun e brendshëm të parasë ndihmon në rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe në rritjen e hapësirave për kreditim në sektorin privat të ekonomisë.”- deklaroi Fullani.