Tiranë, 30 maj 2014 – Banka e Shqipërisë uli për të 9-n herë me radhë normën bazë të interesit, duke e çuar atë në një minimum të ri historik prej 2,5 përqind. Guvernatori shpjegoi arsyet se pse Këshilli Mbikqyrës vendosi të lehtësojë sërish politikën monetare.

“Ulja e sotme e normës bazë të interesit synon t’i japë një shtysë të mëtejshme konsumit dhe investimeve private, duke krijuar premisa për kosto më të ulta financimi në sistemin bankar shqiptar”, u shpreh Guvernatori Ardian Fullani.

Kreu i Bankës Qendrore tha se ekonomia ka vazhduar të ruajë ritmet pozitive të rritjes në tre muajt e parë, por – sipas tij – me ritme të ngadalta.

“Të dhënat e fundit mbështesin vlerësimet tona të mëparshme, për rritje pozitive në muajt e parë të këtij viti. Konsumi dhe investimet private vlerësohen të kenë pasur rritje në 3 muajt e parë të vitit, ndonëse kjo rritje ishte më e ulët se tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Ecuria e tyre mbetet, megjithatë, e ngadaltë, duke reflektuar pasigurinë e agjentëve ekonomikë dhe kushtet njëkohësisht të shtrënguara të financimit”, shtoi më tej Fullani.

Banka e Shqipërisë gjykon se ecuria e konsumit dhe investimeve do të jetë përcaktuese për rritjen ekonomike të vendit gjatë këtij viti. Për këtë arsye, Fullani ka përsëritur, tashmë për të disatën herë, thirrjen ndaj bankave private, që të kreditojnë ekonominë.

“Të jenë institucione financiare të licencuara për të lehtësuar lëvizjen e fondeve në ekonomi. Sistemi bankar duhet të jetë më aktiv në këtë drejtim, pasi rritja e qendrueshme e vendit është parakusht për rritjen e qendrueshmërisë së vet sektorit bankar. Realiteti ekonomik dhe financiar i vendit, lehtësimet e vazhdueshme të politikës monetare dhe operacionet tona të injektimit të likuiditetit, si dhe përshtatja e vazhdueshme e rregullatoreve tona në kushtet e tregut, krijojnë premisa për një kreditim më të shpejtë të ekonomisë”, përfundoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Ardian Fullani tha se rreziku i inflacionit është minimal, pasi parashikimet janë që rritja e çmimeve të jetë e ulët. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/