20 dhjetor 2013- Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka marrë pjesë në Forumin e Ministrave të Brendshëm dhe atyre të Drejtësisë së vendeve të Evropës Juglindore dhe Bashkimit Evropian që është zhvilluar në Budva të Malit të Zi në datë 19 dhjetor. Në këtë forum janë diskutuar çështje të rëndësishme që përbëjnë shqetësim dhe janë njëkohësisht objektiva të përbashkëta për të gjitha vendet e rajonit, siç janë ato që lidhen me aspektet e aderimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër një rëndësi e veçantë i është kushtuar luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe mekanizmit të monitorimit të lëvizjes së qytetarëve të këtyre vendeve pas procesit të liberalizimit të vizave. Në fjalën e tij Tahiri theksoi vendosmërinë e Qeverisë së re shqiptare për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafiqet, si e vetmja rrugë për të siguruar për qytetarët shqiptarë standartet e shtetit ligjor dhe një shoqërie të drejtë evropiane. Sipas ministrit shqiptar, rezultatet e muajve të fundit të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, të vlerësuara maksimalisht edhe nga organizmat evropiane, janë treguesi më i qartë i angazhimit të Qeverisë Shqiptare për të rikthyer sundimin e ligjit dhe shembur murin e pandëshkueshmërisë. Ministri Tahiri u ndal edhe në masat që janë marrë e po merren në vijimësi për të frenuar trafikun e qënieve njerëzore dhe azilkërkuesit abuzivë drejt vendeve të BE. Në forumin e zhvilluar në Budva merrnin pjesë ministrat e brendshëm të Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, Serbisë, Kosovës, Maqedonisë si dhe përfaqësues të lartë të Ministrive të Brendshme të Italisë e Greqisë si dy vende që do të kenë kryesimin e BE-së gjatë vitit 2014.
Nder takimet qe ka patur, ministri i Brendshem eshte takuar edhe me kryeministrin serb, njeheresh minister i Brendshem, Ivica Daçiç. Ne njoftimin e ministrise se Brendshme nuk thuhet asgje lidhur me çeshtjet per te cilat kane biseduar Tahiri dhe Daçiç.






