·        Ish-deputeti i PD-së dhe kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit kundërshton ligjvënësin aktual blu Sherefedin Shehu

DURRËS, 13 janar 2015 –  Opozitës i ka djegur fort zbulimi i faktit se institucione të tëra, që nga ALUIZNI, ujësjellës, spitale, mbi 1 600 institucione shtetërore nuk paguanin sigurimet e punonjësve, apo, që më keq, me sigurimet e disa jepnin rroga për disa të tjerë, të cilët i fusnin në punë për fushata elektorale dhe nuk u paguanin sigurimet. Dhe pikërisht e ka pësuar elektorati i PD-së nga evazioni në pagesat e pensioneve. Për këtë qëllim SHQUP-i dhe ish-Kryeministri Sali Berisha ka detyruar të dalin dhe të kundërshtojnë faktet dy ekspertë të shkëlqyer, ish-zëvendësministra të Financave, deputetët Sherefedin Shehu dhe Florjon Mima. Por këta dy të fundit i “zhulat” thellë eksperti tjetër i PD-së, ish-Ministër, ish-deputet, aktualisht kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, duke folur për rastin e ALUIZNI-t të Durrësit

EDI RAMA

Kryeministri Edi Rama zhvilloi të martën paradite, më 13 janar 2015, një takim në selinë e Kryeministrisë, në qendër të të cilit ishte skema e re e pensioneve, e cila hyri në fuqi këtë muaj. Mes të tjerave, kreu i qeverisë tha:

 “Nëpunës të inspektoratit të punës të paguar nga taksat shqiptare dhe të angazhuar nga shtetit shqiptar për të kontrolluar mbarëvajtjen në funksion të mbledhjes së sigurimeve shoqërore, ishin vetë të pasiguruar. Imagjinoni njerëz të inspektoratit të punës që u shkonin derë më derë të tjerëve për të bërë kontrolle nëse punonjësit ishin të siguruar, kontributet e tyre për pensionin nuk i kishin të derdhura. Inspektorë të punës së shtetit që punonin në të zezë.

Institucione të tëra, që nga ALUIZNI, ujësjellës, spitale, dhe me radhë, plot 1 600 e kusur institucione shtetërore, që nuk paguanin sigurimet e punonjësve, apo që më keq, me sigurimet e disa jepnin rroga për disa të tjerë, të cilët i fusnin në punë për fushata elektorale dhe nuk u paguanin sigurimet…

Ne nuk do t’u ndahemi as atyre, të cilët kanë abuzuar dhe ministria ka ngritur grupin e vet të posaçëm për të depozituar pranë prokurorisë të gjitha të dhënat dhe prokuroria do të hetojë, duhet, dhe besoj se do e bëjë këtë në mënyrë të imtësishme në të gjitha nivelet e kësaj grabitjeje.”

REAGIMI I OPOZITËS

Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, ekspert dhe ish-zëvendësministër i Financave në vitet 2005-2009, reagoi në emër të PD-së:

“Rama dhe Veliaj gënjejnë për kontribute të padredhura, sepse pagat e sistemit buxhetor nuk paguhen nga Thesari i Shtetit, pa faturën e kontributeve shoqërore. Numri i punonjësve buxhetorë në kohën e qeverisjes së mëparshme ka rënë në 87 mijë, ndërkohë që Rama dhe Veliaj flasin për 250 mijë të pasiguruar. Rama dhe Veliaj synojnë të përhapin panik publik, duke frikësuar ata, që kanë qenë në marrëdhënie pune me shtetin. Me deklaratat e tyre të papërgjegjshme, Rama dhe Veliaj dëmtojnë rëndë imazhin e shtetit. Dhe më e keqja, ata nxisin publikisht evazionin fiskal, duke u thënë njerëzve se vetë shteti nuk paguan kontributet e sigurimeve shoqërore. E vërteta e skemës së pensioneve të Ramës është shkatërrimi i sistemit të pensioneve. I ashtuquajturi pension social është në fakt ndihma e sotme ekonomike, por duke e quajtur pension ata synojnë të godasin kulturën e sigurimeve dhe nxisin evazionin fiskal. Me pensionin social ata përgjysmojnë pensionin minimal nga 125 mijë lekë në 67 mijë lekë. Me gënjeshtrat e tyre Rama dhe Veliaj po tentojnë të largojnë vëmendjen nga skema e tyre shkatërruese e pensionit social, nga dështimet e vazhdueshme, nga rritja e varfërisë dhe e papunësisë. Ndërsa përveç këtyre dështimeve, Rama dhe Veliaj do të mbahen mend edhe si krijuesit e gënjeshtrës më të madhe publike”.

KONTROLLI I LARTË I SHTETIT

Për punonjësit e marrë me kontratë nga ALUIZNI Durrës, që nga viti 2008 deri më 31 dhjetor 2012, për pagën e dhënë janë ndalur çdo muaj në masën 11,2 për qind kontribut për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si dhe 10 për qind i tatimit mbi të ardhurat, gjithsej mbi 38,6 milionë lekë, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në një raport të prillit të vitit 20124 (shih faksimilen e faqes 19).

Por këto detyrime nuk janë derdhur në drejtorinë e tatimeve Durrës sipas të dhënave të bilancit të fundit të vitit 2012 dhe auditimit të borderove deri më 15 qershor 2013, periudhë kjo ku janë paguar punonjësit me kontratë.

Shuma mbi 38,6 milionë lekë e padredhur në buxhet të shtetit është përdorur për të mbajtur në punë dhe për të paguar punonjësit me kontratë të rekrutuar nga drejtoria e ALUIZNI-t Durrës, për mungesë të ardhurash nga tarifat e legalizimeve, nënvizon KLSH-ja.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/