Është e pamundur që qytetarët durrsakë të mos e njohin Bujar Qesen. Plot 46 vjet karrierë e kanë mbajtur atë pranë publikut si gazetar apo drejtues të institucioneve kulturore të qytetit. Të gjithë e njohin si një person të qeshur, plot humor e mbi të gjitha modest, një person nga ata që nuk duan të duken e të bien në sy.
Më 15 gusht Bujar Qesja festoi 65 vjetorin e tij të lindjes. Urimet sigurisht kanë qenë të shumta, duke patur parasysh rrethin e gjerë të miqve që ka ai. Teksa e pyes se si do ta përkufizonte këtë përvjetor të tij ai shprehet se tashmë ndjehet sikur është në majë të piramidës dhe shikon vitet që kanë kaluar. “65 vite nuk janë as shumë, por as pak dhe sigurisht që nuk janë stacioni i fundit” – thotë Bujari, pasi ka ende shumë për të bërë.
Edhe pse ka ushtruar për një kohë të gjatë profesionin e gazetarisë, Bujari rrëfen plot humor për “Durrës Lajm” se si e drejta e studimit i doli fillimisht për veterinari: -" Unë as nuk e dija se çfarë ishte ekzaktësisht veterinaria dhe im atë më tha se nëse do të bëhesh doktor, do të ishtë më mirë doktor njerëzish sesa kafshësh".
Por edhe pse përfundoi studimet për shkenca politike, dega gazetari, atij nuk iu dha mundësia të ushtronte menjëherë profesionin e tij, por e caktuan si punëtor në port. Pavarësisht kësaj Bujari shprehet se nuk do të ndryshontë asgjë nga jeta e tij edhe nëse do të kishte mundësi të kthehej pas në kohë, pasi çdo gjë që ka kaluar e ka bërë të jetë personi i sotëm. Megjithatë Bujarin e priste një karrierë e gjatë dhe e bukur, jo më si punëtor i thjeshtë, por si gazetar dhe drejtues institucionesh. Në vitet 1988-1990, ai u emërua drejtor i pallatit “Rinia” dhe e ktheu atë në institucionin më të mirë në Shqipëri, i njohur veçanërisht për anketat e famshme muzikore që organizonte, duke krijuar një trup varjete që konkuronte edhe trupat profesioniste. Më pas në vitet 90- të, u emërua drejtor i pallatit të sportit “Ramazan Njala” dhe i stadiumit “Niko Dovana”.
Në periudhën 2002-2005 emërohet drejtor i teatrit “A. Moisiu” dhe i Qendrës Kulturore duke udhëhequr punën në Bibliotekën e qytetit, Muzeun Etnografik dhe të Luftës, ansamblin “Durrësi, në orkestrën e harqeve “A. Moisiu” etj.
Nga viti 1994-2002, ai u bë botuesi i të vetmes gazetë sportive në Durrës me emrin “Teuta Sport”.
Ai u bë i njohur gjithashtu si një gazetar aktiv dhe shumë i preferuar, duke punuar në gazetarinë e shkruar, televizive dhe atë radiofonike.
Tashmë edhe pse në moshën 65- vjeçare, Bujar Qesja vazhdon të jetë në formë, duke mos e humbur gjallërinë që e ka karakterizuar gjithnjë. Vazhdon të jetë një person i çiltër e me sy të qeshur dhe është kjo ndoshta arsyeja pse durrsakët e duan dhe e respektojnë.
Edhe pse ka dhënë një kontribut të çmuar Bujari vazhdon punon dhe tregon se “një ëndërr në sirtar” që synon të realizojë është botimi i disa librave për historikun e sportit në Durrës, duke qenë se i njeh nga afër shumë prej protagonist të periudhave të ndryshme, disa prej të cilëve nuk jetojnë më. Me pasionin që ka për sportin, gazetarinë sportive dhe materialet që zotëron, padyshim që nëse ndonjë libër i tillë do të realizohej, do të ishte një dhuratë e paçmueshme për Durrësin.
Për më tepër ndiqni videon me intervistën e gazetarit Bujar Qesja dhe mësoni më shumë për jetën dhe karrierën e tij, si një gazetar i palodhur dhe promotor i kulturës dhe sportit durrsak.
R.O.





