Reagime të forta në Turqi shkaktoi fotosesioni që një modele bëri nën instruksionet e regjisorit Bilal Kisa në xhaminë më të madhe dhe më të rëndësishme të Ankarasë.
Ajo që zemëroi turqit ishte veshja e modeles së re, e cila u konsiderua e papërshtatshme për një grua në një xhami. Siç shihet në fotot e postuara në Instagram – por më vonë “të hequra” pas reagimit të ashpër – modelja ka veshur një bluze të shkurtër që i ekspozon barkun, një shall të bardhë, një rruzare teksa pozon në xhaminë e Kocatepe.
“Këto foto kapin magjinë e të kundërtave në formën e tyre më të pastër”, shkruan regjisori në tekstin që shoqëron fotot.
Pas publikimit të fotove dhe reagimeve të shkaktuara nga zyra e guvernatorit të Ankarasë, u njoftua një hetim: “Për fotot që duket se janë bërë në xhaminë e Kocatepe në qytetin tonë dhe kanë qarkulluar në rrjetet sociale, ka nisur një hetim gjyqësor dhe administrativ, duke fyer adhurimin për xhaminë”.