Si në Komisionin e Ligjeve ashtu edhe në seancën plenare të mbajtur sot në Kuvend, deputeti socialist Jurgis Çyrbja ka sjellë në vëmendje disa problematika të zonave që ai mbulon, siç është: mbrojtja e mjedisit nga zjarrvënia e koshave të plehrave dhe veçanërisht shqetësimi për problemin e trashëguar të inerteve në Lumin e Ishmit.
Çyrbja ngriti këto shqetësime kryesore në Komisonin e Ligjeve, për të cilat iu drejtua me disa pyetje të thjeshta zëvendësministres së Mjedisit Almira Xhembulla.
“Shoh që ka djegië të mbetjeve urbane në zona të caktuara apo në koshat e mbeturinave, apo vendpërcaktimet e bashkisë për vendgrumbullimin e mbetjeve. Çfarë masash ka marrë Ministria për këtë çështje?
Sa çështje penale kanë nisur prokuroritë e rretheve për këto raste?
Sa ekspertime të matjes së cilësisë së ajrit janë bërë në këto kohë dhe në cilat qytete janë bërë?
A ka dijeni Ministria që në lumin e Ishmit është bërë një katrahurë, një masakër mjedisore ku janë dëmtuar 8 km vijë bregdetare nga mbetjet urbane?”
Nga ana e saj, zëvendësministrja nuk iu përgjigj konkretisht shqetësimit të ngritur nga deputeti për rastet respektive në fjalë, por tha se ky ka qenë shqetësimi i përbashkët për të sjellë për rishikim projektligjet, me qëllim ashpërsimin e masave administrative, ndërkohë që më pas në Komision u miratua ndryshimi i 4 projektligjeve:- “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”; “Për mbrojtjen e mjedisit”; “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” dhe projektligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Nga java e Gjelbër që sapo u mbyll, ku deputetët e zgjedhur mbajnë takime në zonat që ata përfaqësojnë, seanca e sotme plenare kishte në rend dite pikërisht edhe diskutimin e problematikave që janë hasur gjatë këtyre dëgjesave.
Sakaq, deputeti Çyrbja, i cili takimet e tij në zonë nuk i zhvillon vetëm në kuadër të Javës së Gjelbër, por thuajse çdo ditë përfshirë edhe fundjavën, kjo e evidentuar nga publikimet e përditshme që bën, parashtroi sot një problem të cilin e konsideron mjaft të madh dhe iu drejtua kolegëve që t’iu përgjigjen bujqve e t’i ndihmojnë lidhur me mbledhjen e grurit me çmim nën kosto.
“Në këto ditë takimesh në zonë jemi takuar shpesh me bujqit e zonave që unë përfaqësoj, si Manza, Maminasi, Ishmi e më gjerë. Përveç mbeshtjetes që qeveria i ka dhënë bujqve për sa i përket subvencionit të naftës, ka dhe një shqetësim shumë të madh: çmimi i grurit, pra shitjes së prodhimeve të tyre, nga fshatarët te pikat e grumbullimit. Ata shprehen se kostoja për një kv grurë shkon në 30 mijë lekë të vjetër, dhe pikat e grumbullimit e kërkojnë me 22- 25 mijë lekë ose nuk e marrin fare.
Një gjë tjetër që më ngeli në mend: Bujqit më thanë se shkojnë të blejnë himën e grurit te pikat e shitjes dhe e blejnë me 30 mijë lekë për kafshët, ndërkohë që grurin e kërkojnë deri në 25 mijë lekë të vjetër.
Ky është një shqetësim mjaft i madh, të vëmë dorën në zemër dhe t’i ndihmojmë këta njerëz, t’i përgjigjemi, sepse ne sot teksa po i bëjmë punimet tona në ajër të kondicionuar më kujtohen ata njerëz që digjen nën rrezet e diellit dhe po përvëlohen nga çmimi i shitjes.”