Itali, 18 qershor 2014 – Lulzim Vulashi është një shqiptar i mirë, që në Firence të gjithë e njohin.
35-vjeçari nga Shkodra, furrtar me profesion, nga 1 Marsi i këtij viti dhuron bukën falas për të gjitha gratë, që sapo kanë lindur dhe nuk kanë mundësi ta blejnë.Beson në të ardhmen dhe vepron për të ndryshuar realitetin. E di ç’do të thotë të mos kesh e të jesh në vështirësi.
Luli, siç e thërrasin bashkatdhetarët, jeton në Firence që prej vitit 1995. Kur mbëriti në Itali, si çdo emigrant, pati problemet e përshtatjes me ritmin e jetesës së re. E mban mend shumë mirë ç’ka hequr, kur shkeli për herë të parë në tokën italiane, e tani që punët i shkojnë mirë, mendon të ndihmojë të tjerët.
Sot gjithçka ka kaluar, ai është furrtar e pronar i dyqanit “Pane, amore e fantasia”, në të cilin janë punësuar 7 vetë, ku veç bukës gjen edhe gatime të ndryshme.
I gjithë qyteti e njeh për nismën e bukur dhe tashmë e identifikojnë lehtësisht. Ky nuk është gjesti i vetëm që ai ndërmerr për komunitetin. Që nga viti 2007, një herë në javë ai u ofron darkë të pastrehëve në ambientet e lokalit të tij.
Një tjetër karakteristikë e Lulzimit është pasioni për artin. Ishte një adoleshent, kur erdhi në Firence, por nevoja për të siguruar bukën e gojës e detyroi të mos studionte art, por të mendonte të gjente një punë.
Fillimisht nisi si ndihmës furrtar, për të arritur deri te menaxhimi i një biznesi. Nisma e bukur është përshëndetur dhe nga ish-kryetari i Bashkisë, sot kryeministër i Italisë, Matteo Renzi, i cili i ka shkruar për ta përgëzuar, duke shprehur gjithë simpatinë e tij për gjestin human.
Dyqani i Lulit gjendet në rrugën “Ponte alle Mosse” të Firences, shumë e frekuentuar nga turistët që vizitojnë qytetin, i cili mban mbi supe një pjesë të historisë së Italisë.
/Top Channel/





