Jam e interesuar për të përshkruar dhimbjet e jetës së emigrantëve si dhe të shqiptarëve në Shqipëri, sepse vetë jam rritur në një familje të varfër. I kam ndjerë dhimbjet e varfërisë dhe ndoshta edhe të mospërfilljes që e vogël dhe ato kanë lënë shenjë tek unë, prandaj nuk dua t'i provojnë të tjerët
Pas viteve ‘90 shqiptarët do të ndërmerrnin në mënyrë masive rrugën e emigrimit. Me anije, me gomone apo duke kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin përmes rrugëve malore që na lidhin me fqinjin tonë jugor, Greqinë, qindra mijëra bashkëatdhetarë do të provonin çdo tentativë për të mbërritur në vendet europiane ku shpresonin të ndërtonin një jetë më të mirë. Por këto ikje masive, shpeshherë edhe tragjike, mbartin në vetvete shumë histori që ndoshta do duheshin dhjetëra libra për t’i treguar. Shkrimtarja durrsake Bukurije Bushati, e vendosur në Frankfurt prej vitesh, është një prej njerëzve të letrave, që pjesën më të madhe të historive që përshkruhen në romanet apo tregimet e saj ia kushton pikërisht historive të jetuara nga patriotët e saj. Ndërsa ka nisur të shkruajë që kur ishte adoleshente, vonë është bindur për t’i botuar shumë prej materialeve që ruante në fletore të shumta, të mbyllura nëpër sirtare, apo në hapësira të veçanta të laptopit të saj. Siç rrëfen për gazetën “Dyrrah” ishte e bija ajo që e shtyu të mendonte për mundësinë e botimit.
E kështu panë dritën e botimit dy romanet e para të saj; “Pafajësi nëne” dhe “Borjona”. Tashmë, siç tregon dhe vetë, ka çuar për redaktim romanin e tretë “Arta” e në verë shpreson ta botojë. Duket se “thyerja e akullit” e ka shtyrë Bukurijen t’i përkushtohet edhe më shumë shkrimit, duke mos lënë jashtë vëmendjes jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët. Ndërkohë, duke iu rikthyer historive të emigrantëve ajo ka mbështetur një projekt të propozuar në një rrjet social për të mbledhur histori të treguara nga emigrantët durrsakë, të cilat ajo do t’u japë esencën letrare, për t’i përmbledhur më pas ndoshta në një kronikë të qytetit. Ajo që të bën përshtypje në librat e Bukurijes është fakti se përmes një stili dhe një ligjërimi të thjeshtë ajo arrin të përcjellë emocion, të përshkruajë me vërtetësi vuajtjet, dhimbjet dhe realitetin e hidhur e shpeshherë tragjik të shqiptarëve, qoftë atyre në emigracion, qoftë atyre që përjetojnë këtë tranzicion të zgjatur. Janë realitete me të cilat shumëkush nga ne është përballur, i njeh mirë dhe ndjen ende në kurriz peshën e tyre.
Bukurije, keni botuar relativisht vonë, por me sa di ju keni nisur të shkruani që në moshë të re. Mund të na tregoni se kur nisët të shkruanit?
Kam filluar të shkruaj në gjimnaz. Është mosha që kërkon të shpërthejë diku. Por kam botuar vetëm ndonjë poezi apo tregim të shkurtër. I kam mbaruar shkrimet e mia dhe pasi i lexoja e rilexoja, diku humbeshin mes fletoreve të shkollës, apo nëpër sirtare. Kërkova të studioja për Gazetari apo Gjuhë-Letërsi, por nuk më dhanë asnjërën prej tyre. Më dërguan për Zooteknik, gjë që nuk më tërhiqte. Vonë kam mbaruar Juridikun me korrespondencë dhe me hyrjen e demokracisë fillova punë hetuese në hetuesinë e Kavajës, por aty nuk vazhdova më shumë se dy-tre vjet, sepse u largova. Këtu në Gjermani, si për të gjithë, jeta kishte të tjera ngjyra dhe pata në fillim vështirësi. Më i rëndë ishte fakti se isha në vend të huaj, flitej një gjuhë që nuk e zotëroja dhe për më tepër pa bashkëatdhetarë afër. Më dukej vetja e braktisur. Në kohën e lirë shkruaja, por shkrimet e mia mbeteshin si gjithnjë vetëm për mua. Para disa vitesh, vajza teksa lexonte shkrimet mu lut t'i botoja. Nuk kisha besim tek vetja. Ia dhashë shkrimet e mia disa personave dhe kur edhe ata më thanë se duhet t'i botoja mora guximin. Kam shumë material të akumuluar, të cilin po vazhdoj ta përpunoj dhe ta nxjerr në dritë nga mbyllësitë ku i kisha futur.
Tashmë dy romanet tuaja kanë parë dritën e botimit e ju po mendoni për të tretin. Na tregoni më shumë për ta….
Botova së pari romanin “Pafajësi nëne”, pra ia kushtova kësaj Hyjneshe, që rilind jetën dhe jep edhe jetën e saj për ta mbrojtur atë. Personazhin Luana, e kam njohur në Durrës, dhe jam bazuar në historinë e saj, për të treguar dhimbjen e nënës dhe forcën e saj si ulkonjë, kur ia rrëmbejnë fëmijën e porsalindur…. Romani tjetër është “Borjona”, roman që i kushtohet ditëve tona; punës pa përgjegjësi të dikujt, që lë pasoja mbi jetën e familjarëve; gjakut të ri që mbaron shkollat dhe vendos të braktisë Shqipërinë për shkak të mos sigurisë për të ardhmen. Në të dy romanet, personazhet e mi jetojnë në kohët që po kalon Shqipëria.
Hallet e tyre gërshetohen me hallet e atdheut, me realitetin që jetojmë dhe më vjen mirë që shumë persona, që i kanë lexuar, më kanë shkruar se i kam qëndruar besnik këtij realiteti, edhe pse të hidhur. ….Kam edhe libra të tjerë, që presin radhën të dalin nga laptopi, por sigurisht duhet të pres, se botimi kushton dhe shitja e librave në Shqipëri është e keq organizuar. Këto ditë kam dërguar për korrekturë gjuhësore letrare, romanin e tretë “Arta”. Ashtu si edhe personazhet e tjera, e dashuroj Artën, këtë vajzë studente, që merr përsipër një detyrë të rëndë për moshën e saj. Pasi njihet me keqtrajtimin që ka pësuar i ati në Greqi, betohet se do t'i shkojë deri në fund gjetjes së djalit dukagjinas, që kishte punuar me babain e saj atje dhe ishte zhdukur. Kam qarë duke shkruar në këtë libër historinë e shoqes së Artës, të cilën e kanë marrë të vogël për ta përdorur si prostitutë në Greqi.
Bukurije, ju jeni vetë emigrante dhe shumë nga historitë e përshkruara në romanet dhe tregime tuaja i përkasin botës së emigracionit. A ka histori personale në shkrimet tuaja?
Këtë pyetje më bënte edhe një lexuese e librit “Pafajësi nëne”. Më pyeste nëse kjo ishte një biografi e imja. Por jo. Kam shkruar për çfarë kam parë dhe dëgjuar. Për atë dhimbje që më ka prekur në shpirt, duke e ndjerë se ajo dhimbje ishte edhe imja. Kam nisur një libër për jetën time, por atë do ta botoj vonë….Jam e interesuar për të përshkruar dhimbjet e jetës së emigrantëve si dhe të shqiptarëve në Shqipëri, sepse vetë jam rritur në një familje të varfër. Gjashtë fëmijë të mbetur jetim, me një nënë shembullore, që për vete nuk dinte shkrim e këndim, por ne na puthte dorën sa herë merrnim nota të mira në shkollë dhe arriti të na arsimojë të gjithëve. I kam ndjerë dhimbjet e varfërisë dhe ndoshta edhe të mospërfilljes që e vogël dhe ato kanë lënë shenjë tek unë, prandaj nuk dua t'i provojnë të tjerët. Ndaj mundohem t’ua bëj të qartë lexuesve se çfarë janë këto dhimbje, që, fatkeqësisht, sot, u kanë mjegulluar jetën shqiptarëve dhe nuk i lenë të marrin frymë.
Personazhet kryesore të librave tuaj janë gjithnjë femra. Pse kjo zgjedhje?
E kush më mirë se një femër mund të përshkruajë botën shpirtërore të vetë femrës, duke e njehsuar veten me gëzimet e shqetësimet e personazhit.
Në këto vite të vështira të emigracionit gruaja shqiptare, pozicioni dhe roli i saj në shoqëri ka ndryshuar. Ju si e vlerësoni këtë ndryshim?
Vetë ndryshimi i sistemit hapi rrugë dhe shtigje të pashkelura edhe për femrën shqiptare. Megjithëse aktive në politikë, përsëri zëri i saj duhet të ndihet më fuqishëm, sidomos në sallën e parlamentit, ku Ajo që lindi jetën, duhet të ndikojë fuqishëm, në zbutjen e gjakrave e të debateve të kota dhe të pafundme që po ndodhin. Gruaja biznesmene, po e tregon veten shumë të aftë në drejtimin e biznezeve, ashtu si edhe një nikoqire e mirë në familje. Tashmë edhe gratë shtëpiake, shihen tek dalin grupe-grupe në kafene apo shëtitje me shoqërinë. Është për t’u theksuar në botën e letrave shqipe janë shtuar pendat (shkrimtare) cilësore të femrës, ashtu edhe si në fushën mediatike.
Ju tashmë që prej vitit 1993 jetoni e punoni në Gjermani, por shkruani në gjuhën shqipe. A keni vështirësi meqë jeni larguar prej një kohe të gjatë?
Kam vite e larguar, por gjuha shqipe ishte boshti kryesor i gjuhës për mua, rreth të cilës rriteshin filiza të gjuhës Gjermane dhe Italiane, por, them rreth saj, pa u trazuar me të. Ndaj edhe kur shkruaj nuk kam vështirësi. Është e vetmja gjuhë ku e gjej veten të plotë. Po kam pak probleme me fjalët e reja që dëgjoj në Shqipëri, por nuk kam turp të pyes. Po kështu lumturohem, kur mendoj se vajza, që ka mbaruar juridikun këtu, flet shqip ashtu si edhe unë, edhe pse ka ardhur e vogël këtu.
Ju aktualisht punoni e në të njëjtën kohë jeni bashkëshorte dhe nënë. A ju pengojnë këto angazhime për të shkruar?
Kohën për të shkruar e gjej kurdo. Ndonjëherë edhe natën ngrihem nga shtrati, sepse më kujtohet diçka dhe nuk dua ta harroj. Kohën tani më shumë e kaloj me shkrimet, sepse shkrimi më është bërë shoku im që më ka futur në një botë tjetër, ku mund të shpreh ndjenjat dhe mendimet e mia, ku takoj e flas me personazhet, duke qarë me to hallet, ashtu siç
i qani ju në Shqipëri me njëri tjetrin. Në fluturime kam takuar persona të ndryshëm, që më kanë treguar pjesë nga historia e tyre dhe unë jam e interesuar dhe e vëmendshme për t'i dëgjuar ato. …
Sapo thatë se fluturoni shpesh. Po Durrësin a vini ta vizitoni?
Unë kam lindur dhe kam kaluar rininë time në Durrës. Qyteti im ka lënë rrënjët e tija tek unë, rrënjë që asgjë nuk mund t'i shkulë. Emigracioni tregoi edhe më shumë ekzistencën e këtyre rrënjëve, me dhimbjen që shkakton mungesa e tij. Vija shpesh, pothuajse çdo muaj në Durrës, gjë të cilën e kam rralluar kohët e fundit për arsye shëndetësore. Sa herë i afroheshim Durrësit me aeroplan shpirti më rrihte fort. E ndjente ai i pari që po i afrohej vendlindjes. Nga xhamat e aeroplanit shihja poshtë detin dhe më dukej sikur në buzët e mia, kishte mbetur shija e kripës së tij. Besoj se kështu ndjehen të gjithë emigrantët, kur kthehen në atdhe. Më është dhënë mundësia, nga vendi i punës, të fluturoj në vende të tjera, por këtë ndjesi nuk e kam ndjerë. Ishte ndjesia e një kurioziteti, kurioziteti i përballjes me diçka të panjohur, por jo ndjesia e MALLIT, ndjesia për të hapur krahët dhe për t’u thënë të parëve që takon: "Mirësejugjeta, do t’i kalojmë mirë këto ditë!".
Bukurije po përsa i përket projekteve tuaja për të ardhmen? A jeni duke shkruar ndonjë libër të ri?
Kam filluar të shkruaj edhe tregime për fëmijë, po ashtu kam për të dërguar për botim këtë verë librin për fëmijë “Herkules”. Mendoj se është libër edukativ, u tregon fëmijëve një botë tjetër, ku kafshët dhe njerëzit bashkëjetojnë duke ndihmuar njëri-tjetrin. Mendoj ta bëj me vëllime, por do të shoh njëherë si do të ecë vëllimi i parë. Gjithashtu pak ditë më parë Andi Papa, një nga anëtarët e forumit të durrsakëve në Facebook, hodhi një propozim për të bërë një përmbledhje tregimesh me historitë e durrsakëve, kur janë larguar nga Durrësi. Më pëlqeu si ide dhe thashë se do të mundohesha të bëja diçka. Secili mund të më dërgojë në kutinë postare ndonjë histori personale apo diçka interesante, që ka parë gjatë kohës së eksodit, apo jetës në emigrim dhe unë kam për t’ia dërguar të punuar nga unë. Për ata që do të jenë dakort, mendoj t'i botojmë si një libër, “Kujtime emigrantësh”….
Pasazh nga romani “Pafajësi nëne”
– Ja ai varri atje, – i tha ajo duke treguar me dorë, – atje ku është ajo gruaja me të zeza. Është e ëma, por kujdes, – i tha pastaj.
– Ajo ka shkalluar që kur i ka vdekur e bija e vetme që kishte. Vjen përditë këtu dhe flet me vehte. Linda e falenderoi edhe një herë dhe u largua. Iu afrua varrit prej mermeri të bardhë. Fotografia e Luanës i buzëqeshte. “Të kam pritur”, – sikur i thoshte. Pa atë gruan e dobët, që lexonte një përrallë fëmijësh me zë të lartë.
– Pastaj erdhën xhuxhat, – dëgjoi ajo, – dhe nuk e gjetën Borëbardhën në shtëpi. U shqetësuan dhe filluan ta kërkojnë. Linda u step për një moment. Kujt ia lexonte përrallën kjo grua? Iu afrua edhe më pranë dhe pranë emrit të Luanës, lexoi: “Këtu prehet vajza jonë e dashur së bashku me fëmijën e saj. Tani janë engjëj në qiell”.
“Jemi tre nëna”, – foli me vehte, – që kujdesemi për fëmijët që nuk…..Edhe Luana kujdesej tani për atë vajzë, që ishte braktisur nga e ëma. Nuk mundi të duronte më. Lotët i rodhën faqeve. U përkul mbi varr dhe duke vendosur lulet pranë fotografisë së Luanës, hodhi krahët mbi trupin e vogël të asaj gruaje dhe shpërtheu në të qara. Gruaja e largoi nga
vehtja duke i thënë se nuk duhet të qante, sepse shqetësonte mbesën e saj. E bija kishte ikur në punë dhe ajo po merrej me të mbesën. Duhet të mbaronte përrallën e Borëbardhës, që asaj i pëlqente aq shumë.
– Të më falësh dhe faleminderit! – foli Linda me zë dhe pasi u ul dhe puthi edhe një herë fotografinë e Luanës, ngriti sytë nga qielli duke shpresuar se ajo e shihte prej andej dhe e kishte falur. Kaloi mes varreve, mes njerëzve, që qanin apo bisedonin me të vdekurit duke shpresuar se ata i dëgjonin, tek qanin hallin e tyre.
– Këtu nuk kishte grindje, këtu mbizotëronte paqe dhe urtësia. “Njerëzit e kuptojnë budallallëkun e egoizmin vetëm kur vdesin”,- tha duke kthyer edhe një herë kokën nga varrezat. Hyri në makinë me sytë e skuqur nga të qarat. Në vesh i kumbonte akoma përralla e Borëbardhës.