Mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës janë shpallur më të bukurit e edicionit të 11-të të spektaklit të bukurisë “Miss dhe Mister Turizmi 2016”.
Kurora e bukurisë për këtë vit është ndalur në qytetin e Durrësit dhe atë të Shijakut, pasi mes 16 konkurenteve femra, më e bukura u shpall durrsakja Pranvera Gjepali, ndërsa maturanti nga Shijaku, Ledio Deliallisi, rrëmbeu titullin “Mister Turizmi 2016”.
Në këtë spektakël bukurie morën pjesë 32 konkurentë nga e gjithë Shqipëria e Kosova.
Të veshur me kostumet që evidentonin trashëgiminë historike e kulturore të vendit tonë e me veshje mbrëmje, të rinjtë pjesëmarrës në këtë konkurs bukurie, për rreth një orë e gjysëm dhuruan mjaft emocione për ata që e ndoqën live këtë spektakël.
Titulli për “Miss dhe Mister Plazhi 2016” shkoi respektivisht për Anxhela Shahin dhe Erald Farrukun, ndërkohë që “Sirena e detit” u shpall bukuroshja nga Korça Dolores Shëmbi, ndërsa “Princi i detit” djali nga Fieri, Ermelao Ndreko.
“Miss dhe Mister Turizmi 2016”, eventi kulturor që ka hyrë tashmë në edicionin e tij të 11-të, është një spektakël që synon të evidentojë tek të rinjtë trashëgiminë kulturore të pasur të vendit tonë dhe njëkohësisht të promovojë vlerat turistike të qytetit të Durrësit”,– tha për DurrësLajm organizatorja e tij, Myzejen Konduri.
Të ftuar në eventin kulturor ishin edhe emra të njohur të skenës shqiptare si Anxhela Peristeri, Jeta Faqolli, e reja mjaft premtuese durrsake Daniela Bumçi etj.





