DURRËS, 19 tetor 2013 – Më të bukurat e globit, që do të konkurrojnë në Durrës më 2 nëntor 2013, në edicionin 40-të të garës ndërkombëtare “Miss Globe” do t’i paraqesë një super-bukuroshe dhe inteligjente, një durrsake-amerikane: Floriana Garo, 26 vjeçe. Ajo do të jetë krah ish-aktorit të “Portokallisë”, Gent Bejko (në foton kryesore). Producenti i spektaklit Petri Bozo thotë: “Jo rastësisht kjo zgjedhje. Së pari sepse të dy ata janë personazhe që kanë jetuar jashtë Shqipërisë dhe njohin shumë mirë specifikat në prezantim të një eventi të tillë ndërkombëtar. Së dyti sepse një dyshe e tillë e plotëson shumë mirë njëri-tjetrin: Genti ka edhe batutën, pra mbulon edhe këtë pjesë në prezantim, ndërsa Floriana ka staturën serioze të këtij prezantimi, dualiteti i të cilit më ka pëlqyer që në fillim. Janë një çift që u përgjigjen shumë mirë kërkesave të publikut të zgjedhur të Miss Globe, por edhe telespektatorëve që do ta ndjekin nga ekrani”. Sipas Floriana Garos, “regjisorja e famshme Vera Grabocka më emëroi për të përfaqësuar bukurinë femërore të vendit tim si Miss Albania në konkursin e bukurisë Mis Bota 2012, i cili u organizua në Ordos të Kinës. Konkurrova mes 115 vajzave nga e gjithë bota dhe mora shumë vëmendje nga universiteti im në SHBA, televizionet shqiptare dhe ato kineze, si dhe shtypi kombëtar dhe ai ndërkombëtar. Për mua të qenit ambasadore e bukurisë Shqiptare ka qenë një nder, dhe asgjë më pak se arritja më e madhe në karrierën time të modës”.

Info

Floriana Garo u lind në Durrës, më 15 shkurt 1987, nga profesor Sofokli Garo, dhe mjeke Teuta Garo. Ajo është e dyta e fëmijëve të tyre, duke pasur një vëlla shtatë vjet më të madh. Në moshën 11-vjeçare filloi të angazhohej në sportin e volejbollit, si anëtare e ekipit të qytetit, një aktivitet që do të shoqëronte atë në pjesën më të madhe të jetës. Gjatë viteve të hershme të adoleshencës, ajo u angazhua në eventet artistike e kulturore të qytetit të saj të lindjes. Në vitin 2002, pas përfundimit të vitit të parë të shkollës së mesme, u zhvendos me familjen e saj në Shtetet e Bashkuara, në Grand Forks, ND, ku ajo rifilloi studimet në vitin e dytë të shkollës Red River High School. Ajo u përfshi gjithashtu në sportin e volejbollit. Gjatë viteve të mbetura të shkollës së mesme shkëlqeu në mësime duke ruajtur një GPA 4.0, dhe e ndihmoi ekipin e saj të volejbollit duke mbajtur njëkohësisht statusin e një prej lojtareve më të mira te North Dakotës, gjatë vitit të dytë, të tretë e të katërt. Ajo zgjodhi të punonte disa punë me kohë të pjesshme (si kameriere në mensën e Universitetit te North Dakota-s (UND) e në restorantin "The Ponderosa", dhe si shpërndarëse e ushqimit për të sëmurët në spitalin Altru në Grand Forks), në mënyrë që të vinte ca para mënjanë për të mbuluar nevojat e saj. Arriti shumë shpejt të mësonte anglishten, dhe u integrua mjaft lehtësisht në mënyrën amerikane të jetesës. Në vitin 2005, pas diplomimit me sukses nga shkolla e mesme, u shpërngulu në New York City të jetonte e pavarur. aplikoi dhe u pranua si një lojtare e volejbollit të ekipit të City University të Nju Jorkut, ku ajo filloi edhe shkollimin e saj universitar në fushën e studimeve ndërkombëtare. Përveç angazhimit me kohë të plotë si studente e sportiste ne NYC, gjeti kohë për të punuar si fotomodele në disa agjenci mode. Fotografi i njohur shqiptaro-amerikan Fadil Berisha e ndihmoi të niste portofolin e saj të modelimit. Këto punë në modeling e ndihmuan financiarisht për të përballuar jetesën e shtrenjtë të NYC. Fusha e saj e studimit (marrëdhëniet ndërkombëtare), pasioni i saj për të udhëtuar, dhe gjuhët e huaja – Floriana flet rrjedhshëm italisht dhe spanjisht, përveç anglishtes dhe shqipes – e kanë lidhur atë me njerëz nga të gjitha kulturat, prejardhjet dhe sferat e jetës. Në qershor të vitit 2008, pas gjashtë viteve që banonte në SHBA, mori shtetësinë amerikane. Në vitin 2009, pas marrjes së shtetësisë amerikane, prindërit e Florianës u kthyen në atdhe. Në verën e vitit 2010 u zhvendos në Tiranë, ku aktualisht banon. Në verën e vitit 2010, mori pjesë në një nga spotet publicitare të Eagle Mobile. Në pranverën e vitit 2011, prezantuese e motit në ABC News Albania, ku ajo aktualisht punon. Është mjaft aktive në fushën e modës. Ajo ka marrë pjesë në sfilatën e Geraldina Sposa-s. Është imazhi për Shqipërinë i markës së veshjeve Cortefiel. Ka prezantuar festivalin e 51-të të këngës. Aktualisht është angazhuar me emisionin e saj në TV Klan “Jo Vetëm Modë”, një program entertainment me aktualitete nga bota e modës, artit, kinemasë, i plotësuar me profile personalitetesh shqiptare dhe të huaja. /U përdorën materiale nga sajti personal i Floriana Garos/

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/