DURRËS, 28 prill 2014 – Tani femrën antike “Bukuroshja e Durrësit” mund ta mbajnë edhe femrat moderne në qafë si një shall mëndafshi natyror, kurse meshkujt në kravata.
Medieve të huaja të modës u ka tërhequr vëmendjen koleksioni “Dhurata për adhuruesit e udhëtimeve”, ku bëjnë pjesë një shall me çmim 141 dollarë dhe një kravatë me çmim 54 dollarë, të dy prej mëndafshi natyror kinez dhe të dizenjuara e prodhuara në Shqipëri nga studioja “Triqita”, me motivin e “Bukuroshes së Durrësit”.
Por edhe hoteli luksoz Rogner është dekoruar me veprën e autores Natasha Korn (në foto).

Natasha Korn, stiliste dhe artiste me origjinë hebre nga ish-BS, familja e së cilës u përndoq nga nazistët në Odesa, jeton në Shqipëri që nga viti 2003 së bashku me burrin e saj amerikan, Lander Lowell, i cili punon me Korpusin e Paqes dhe me të birin Vlad, duke formuar kështu një “triqita” (rusisht: treshe balenash).
Shallet me motive shqiptare i ka parë në Durrës, në vitin 2011, Edicioni i katërt i Festivalit të Filmit në Durrës, “International Film Summer Fest Durrës”. Aktores së famshme italiane Claudia Cardinale iu dhurua një shall mëndafshi me “Torrën” e Durrësit nga vet krijuesja Natasha Korn (në foto) Shallet e saj i ka vendosur Zonja e Parë, Odetë Nishani dhe ish-Ministrja demokrate e Integrimit, Majlindë Bregu.

TREGON NATASHA KORN
Shalli prej mëndafshi natyror “Bukuroshja e Durrësit” është shalli ynë me sipërfaqen më të madhe: 110×110 cm. Është në fakt një shall shumë elegant dhe i pasur. Hije të ndryshme të përplasjes ngjyrë gri me shkëlqim argjendi e mëndafshi dhe gjallërohen duke prekur lule të kuqe dhe portokalli. Fytyrën e gruas të bukur sensuale e kemi vënë vetëm në një cep të shallit duke e lënë pjesën tjetër të shallit për lulet. Kur palos këtë shall katror në dy trekëndësha përftohen dy shalle të ndryshme: njëri ka fytyrën e Bukuroshes së Durrësit ndërsa tjetri ka vetëm lule nga kopshti i saj. Pra, përftohen dy shalle në një, që u dizenjua sipas mozaikut me famë botërore dhe më të vjetër të zbuluar në Shqipëri. Ne përcjellim bukurinë e kësaj fytyrë gjithmonë të re për shallin tonë dhe këtu është historia e saj.
Bukuroshja e Durrësit është 2400-vjeçare. Për moshën që ka duket shumë mirë, sidomos po të kemi parasysh se ajo kaluar shumicën e jetës së saj varrosur thellë në tokë. Ajo u zbulua 95 vjet më parë, humbi edhe për 10 vjet, pastaj u zbulua përsëri në vitin 1959 [nga arkeologu i famshëm Vangjel Toçi, në foton bardhezi – “Dyrrah”-u] dhe u zhvendos në vitin 1982 nga vendi i origjinës në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Meqë kishim si qëllim ta “ngrinim” nga muzeu dhe ta “vinim” në një shall mëndafshi, ajo patjetër kishte nevojë për njëfarë “grimi” (make up). Bëmë mjaft fotografi të saj nga çdo kënd i mundshëm në dritë të dobët muze. Ne i vumë së bashku si një të tërë dhe “mbushëm” çdo gur zalli të humbur në fytyrë. Pastruam një njollë të errët mbi ballë, i zbardhëm “lëkurën”, vumë gurë të zinj, duke konturuar sytë, fiksuam flokët dhe karficat dekorative në të, vendosëm pak “të kuq buzësh” në buzët seksi dhe pak të hapura, shtuam pak “ar” për gjerdanin e saj dhe “arna” në veshje.

Si bashkëkohëse e Aleksandrit të Madh, Aristotelit dhe Epikurit, me bukurinë e tyre estetike të ngritur në qiell, ajo do të ishte shumë e kënaqur me punën tonë. E bëmë me kompjuter atë që ajo do të bënte me kozmetikë. Gratë e kohës së saj përdornin kozmetikë, lyenin flokët, shtonin bizhu, dhe visheshin për t’u dukur të reja dhe të bukura.
Kush ishte ajo po të kthehemi pas në kohë? Ishte një kohë kur Durrësi quhej Epidamn, kur pasardhësit e themeluesve të Epidamnit nga Korinti dhe Korkyra, sikurse vëren Aristoteli, ishin ndërtuesit e kësaj shoqërie të përparuar politikisht. Duket se ata ndërtuan jo vetëm shoqërinë, por edhe shtëpitë, të dekoruar me mozaikë të pasur.

A ishte heterë (prostitutë e arsimuar), sikurse ishin të gjitha modelet për statuja mermeri dhe trupat e pikturuar të perëndeshave greke? Grekët nuk u kushtonin shumë vëmendje fytyrave të perëndeshave, duke u përqendruar kryesisht në bukurinë e proporcioneve të trupit. Bukuroshja e Durrësit, në kundërshtim me këtë kanun, nuk shihet për trupin, por fytyra e saj dominon të gjithë mozaikun dhe është tejet e individualizuar dhe sensuale, me “bukuri erotike” dhe “vetëpërmbajtje”, që përputhet me kanunin grek në këtë anë.
Pasi mbaruam punën me fytyrën, u kujdesëm për sfondin e saj. Restauruam çdo element të spiraleve që duken si byzylykë argjendi. Pastaj me kënaqësi por edhe si sfidë mbushëm të gjithë sipërfaqen e shallit me zambakë, lulekambana, zymbyla, sythe dhe petale të cilat i kemi restauruar. Në fund krijuam një sipërfaqe, që duket mirë dhe na bëri të ndjeheshim mirë, duke e ditur se i kemi dhënë jetë të re mozaikut më të vjetër të Shqipërisë. Kështu Bukuroshen e Durrësit e transferuam nga guri në mëndafsh. Në kohën e saj do të ishte një luks absolut.
Info / Sipas Hasan Ulqinit dhe Ilir Xaxës
Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra, diametrin e vogël 3 metra dhe zë një sipërfaqe afro 9 metra katrorë.
Në qendër të mozaikut është figura e hijshme e një gruaje të re (e lartë 1,2 m). ajo ka një qëndrim monumental, flokë të verdhë, balluket e vogla i rrinë si kurorë dhe mbi to dallon një diademë në formë spiraleje me ngjyrë të zezë.
Një rrip i vogël i bardhë dhe i kuq e shtrëngon pas flokëve.
Fytyra është e bardhë dhe e pastër.
Nëpërmjet linjave të holla të zeza dhe gri dalin në pah qartë përvijimet e hundës, mjekrës, syve, vetullave, gojës si në një kontrast të fortë.
Sytë kanë të zinj, ku dallon ninëza me nga një gur të verdhë të kuq, ndërsa një gur ngjyrë portokalli hijeshon këndin e brendshëm të tyre.
Buzët i ka të kuqe.
Gurë të vegjël ngjyrë hiri të errët ndajnë fytyrën nga qafa, në fund të së cilës dallohen dy degë që e rrethojnë gjithë portretin me dredhëza, rozeta, lule lotusi dhe lulekëmbora.
Sfondi është i errët, lulet janë të bardha e mes tyre shquhen disa njolla gri në të verdhë, në të kuqe.
Mozaiku ka një punim tepër të veçantë: është ndërtuar me gurë të vegjël zalli natyral shumëngjyrësh të vendosur mbi një shtresë llaçi dhe është një nga shembujt më të vjetër të kësaj mënyre të të bërit art, zbuluar deri në kohën tonë.
Ky lloj mozaiku është një rast i mrekullueshëm i artit të mozaikëve me guralecë; në këtë periudhë dekoroheshin me këto lloj mozaiku vetëm pallatet e sovranëve dhe oborri maqedonas, si p.sh. ai në Pela.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





