Tiranë, 27 maj 2014 – Edhe “bodybuilding” ngre lart flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare. Jo vetëm në meshkuj, por edhe në performancën e femrave, si rrallëherë në historinë e sportit shqiptar. Në kampionatin e pestë europian të “bodybuilding” dhe “fitness” (WBPF) të mbajtur në Prishtinë, Shqipëria u kurorëzua me dy medalje të bronzta. Dyshja e sportistëve, që ndezi krenarinë kombëtare të çdo shqiptari, ishin Dorina Mema dhe Armand Marko. Bukuroshja Mema ngjiti shkallën e tretë të podiumit pas përfaqësueses së Belgjikës dhe asaj të Lituanisë në Kategorinë Superiore të “fitness”- it “Woman Signor Sport Model”.

Jam e lumtur, sepse ishte hera e parë si prove për ne. E çfarë kishte bota më shumë se ne? Pra, asgjë nuk është e pamundur”, – thotë fillimisht medalistja kontinentale.

Me prioritet pjesëmarrjen në një event ndërkombëtar në muajin nëntor, Mema zgjodhi të regjistrohej në Europianin e majit.

“Vendosa të garoja në Prishtinë më tepër për të mësuar mënyrën si funksionojnë të tilla evente, pra për eksperiencë. Në fakt, ishte kohë e shkurtër për mua, por debutimi ka qenë mbresëlënës. Nga Shqipëria isha e vetmja femër që konkurrova në disiplinën masë muskulore. Mospërdorimi i steroideve më bëri të ruaja imazhin femëror dhe të merrja edhe vlerësimet maksimale nga juria qendrore. Anëtarja e jurisë së femrave, njëherësh kryetare e bordit hungarezja Ildiko Buranits, votoi për mua si femra më e bukur, duke më ndryshuar kategorinë e pjesëmarrjes dhe më përfshirë në nivelin më të lartë, mes kampioneve të Europës të Fizikut. Në këtë stad konkurrimi, kundërshtaret e mia kishin eksperienca shumëvjeçare në këto kompeticione. Ndërsa unë aty isha fytyra e re”, – deklaroi Mema.

Si debutim ishte fantastik përballë femrave me karrierë dhe me medalje në palmares në sportin e “bodybuilding”. “Vendi i parë është mbajtëse e tre titujve, ndërsa medalistja e argjendtë më mori vendin e dytë vetëm nga pozat”.

Përpos arritjes personale, kjo eksperiencë e femrës së parë shqiptare në “bodybuilding” vlen si promocion edhe për të tjera në vijim. E thënë në vetën e parë nga vetë Mema, e cila mes të tjerave nuk harron të shprehë mirënjohjen edhe për pritjen e organizatorëve të kampionatit europian.

“Duke qenë e para, vetëm, pa ekip, nuk ishte e lehtë për mua. Por, jam pritur me shumë dashamirësi nga Kosova dhe mora mbështetjen e plotë edhe të kampionëve të saj”.

Në epilog të Europianit, në adresë të medalistes shqiptare nuk reshtën as ofertat, shumë serioze.

“Nga ky event mora shumë oferta për të punuar për këtë sport, por do të qëndroj me Shqipërinë, edhe pse këtu nuk ka një federatë të mirëfilltë ‘fitness’-i. Më propozuan t’i bashkohem federatës italiane (IBFF), madje edhe asaj botërore. Gjithashtu më ofruan edhe për reklama proteinash të cilat, me shumë gjasa, do t’i realizoj javën tjetër”, – përfundoi Mema, e treta e Europës, me ambicie edhe për më lart.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/