Tiranë, 26 prill 2014 – Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, denoncoi sot para mediave, atë që e quajti kërkesë të paprecedentë të kryeministrit Edi Rama për fondin e Abu Dhabi-t, të cilit i kërkon të ndërpresë investimet për Bulevardin e Tiranës. Kjo kërkesë e kryeministrit sipas Bozdos është akti i radhës i bllokimit për këtë vepër infrastrukturore. 

"Edi Rama po investohet ditë për ditë dhe me çdo mjet për të bllokuar ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës. Në dhjetor 2013 bllokoi fondin për shpronësimet, në shkurt 2014 urdhëroi në mënyrë të jashtëligjshme INUK, siç e dëshmoi dhe vendimi i Gjykatës Administrative të bllokojë punimet. Në mars, duke shkelur edhe vendimin e gjykatës, Rama bllokon sërish punimet për ndërtimin e bulevardit. Paralelisht me keqpërdorimin e INUK për bllokimin e punimeve, Edi Rama urdhëroi prefektin të bllokojë buxhetin e Tiranës. Akti i fundit, më i rëndi dhe më i paimagjinueshmi, është kërkesa që Edi Rama i ka bërë Fondit të Abu Dabit për të ndërprerë financimin e projektit më të rëndësishëm të Tiranës në 70 vitet e fundit",- tha Bozdo.

Sipas tij, "çdo kryeministër normal do të angazhohej për avancimin e punimeve të një projekti kaq të rëndësishëm dhe me ndikim kaq të madh për jetën e qytetarëve dhe të ardhmen e kryeqytetit të vendit”.

Fondi për Zhvillim “Abu Dhabi” ka dhënë për ndërtimin e Bulevardit të ri të Tiranës  një hua prej 50 milionë eurosh.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/