Duke nisur nga pasditja e sotme bulevardi “Epidamn” kthehet në pedonale në orët e mbrëmjes, ku nga Prefektura deri tek Torra Veneciane, nga ora 19.00 deri në orën 23.00 do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve.
Në videon që përcjell “DurrësLajm” pak minuta përpara se të fillojë kufizimi, shihen forcat e policisë së Rendit dhe ato Bashkiake, që po lajmërojnë drejtuesit e mjeteve që kanë parkuar në bulevard t’i largojnë mjetet dhe t’i spostojnë në akse alternative.
Qarkullimi dhe parkimi i mjeteve, nis zbatimin nga data 29 qershor deri më 15 shtator.
Rrugët e tjera ku do të ndalohet parkimi i automjeteve në njërin krah të lëvizjes përgjatë orarit 19:00-23:00 si më poshtë:
a)Rruga “Anastas Durrsaku” (Segmenti nga Kisha Ortodokse – Shkolla Gjergj Kastrioti), ndalim parkimi i automjeteve
b)Rruga “ Hysen Matlija” dhe Rruga “Mbretëresha Teuta” (Shkolla Italiane), ndalim parkimi i automjeteve nga një krah lëvizje
c)Rruga “Karl Topia” dhe rruga “Gjergj Komnino”, ndalim parkimi i automjeteve nga një krah lëvizje
Njëkohësisht në një tjetër aks të rëndësishëm të qytetit, në rrugën “Taulantia” do të ndalohet parkimi i automjeteve përgjatë gjithë ditës në njërin krah të rrugës (segmenti nga karburant “Kastrati” – kryqëzimi i shkollës italiane).
Bashkia u bën apel drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve që të lënë makinat dhe të shijojnë shëtitjet në këmbë në bulevardin kryesor të Durrësit në këto mbrëmje verore.