TIRANE, 01 mars 2013- Deputetja e PD-së Rajmonda Bulku nëpërmjet një deklarate për mediat akuzoi kryesocialistin Rama se është i paaftë t’ju përgjigjet pyetjeve të drejtuara nga selia blu, ndërsa tha se dje ka bërë xheloz edhe Nasteradinin, duke folur vetëm për zëdhënësen e PD-së gjatë një emisioni televiziv.
“Dje, kryetari i Partisë Socialiste bëri për herë të parë xheloz edhe vetë Nastradinin, kur në emisionin Opinion, në më shumë se gjysmën e kohës u mor me zëdhënësen 26 –vjeçare të Partisë Demokratike, Laura Vorpsin. Madje, sipas analizës leksikore të emisionit, Rama përdori 141 herë emrin e Sali Berishës dhe 437 herë emrin e Laura Vorpsit. Teksa është e qartë tashmë për të gjithë shqiptarët, që ti nuk u përgjigjesh dot pyetjeve të tilla, ti je i paaftë t’u përgjigjesh edhe pyetjeve të lehta te zëdhënëses se PD –se, se perse ia dhe lejen e pallatit bashkëshortes sate në kundërshtim me ligjin? Perse nuk i bën publike faturat 1 milionë dollarëshe të ndërtimit të pallatit. Përse nuk tregon si e bleve tokën për ndërtimin e vilës luksoze në periferi te Tiranës? I paafte t’u shpjegosh burrave shqiptarë sesi do t’i punësosh 250 mijë gratë e tyre, ti e pate me të lehtë ta zhvendosësh tytën e pushkës nga Kryeministri Sali Berisha tek zonjusha Laura Vorpsi. Këtë zhvendosje shënjestre, nga burrat tek gratë, ti zoti Rama e ke bërë në prag të çdo fushate zgjedhore.Të njëjtën zhvendosje shënjestre ti e bëre edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2003, kur, i paaftë të përballeshe me programe me kandidatin e Partisë Demokratike Spartak Ngjela, u more me Palomën e Fiks Fare, e cila gjithashtu të bënte pyetje të lehta, që ti, ashtu si edhe sot, ishe i paafte t’u përgjigjeshe”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Më tej deputetja e PD-së thotë se “ Rama është i njohur për mungesën e dashurisë ndaj grave dhe i përvuajtur nga mungesa e adhurimit të tyre, ti ke vërtetuar se ndjehesh mirë vetëm mes 99 –shave dhe Mjaft –ushëve të tu, që të ndryshuan jo vetëm ngjyrën e kollares, nga të kuqe në manushaqe, por dhe muret e Selisë së Partisë Socialiste, madje edhe ato të vilës luksoze që po ndërton në Dajt”
“Partia Demokratike nuk do të kërkojë nga deputetet dhe zëdhënësit e saj, të mos e përshëndesin z. Rama, por pavarësisht nga kjo, ata, në shërbim të transparencës së publikut, do të vazhdojnë t’i bëjnë pyetje Edi Ramës, në lidhje me pasurinë e tij për pallatin e bashkëshortes, faturat e ndërtimit të “pallatit në pajë” dhe çmimin e tokës së vilës në Dajt, edhe pse e dinë shumë mirë se edhe në të ardhmen do të jenë shënjestër e pushkës së këtij Nastradini, që më 23 qershor do ta kthejë atë jo vetëm drejt vetvetes, por edhe kundër gjithë Partisë Socialiste”, përfundoi deklarata e Bulkut.