TIRANË – Deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku deklaroi sot se “rekomandimi i Komisionit Europian, rezoluta e Parlamentit Europian dhe konkluzionet e Këshillit Europian për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat menjëherë sapo vendi të miratojë ligjin për Gjykatën e Lartë, ligjin për shërbimin civil dhe rregulloren e ndryshuar të Kuvendit janë prova konkrete që konfirmojnë mbështetjen e Europës së Bashkuar për përpjekjet e shqiptarëve në procesin e integrimit. 

Në një deklaratë për mediat, Bulku tha se mbështetja e BE-së për Shqipërinë do të duhet të ishte materializuar sot me dhënien e statusit të vendit kandidat. Por kjo nuk ndodhi sepse Rama nuk lejoi deputetët e tij të votonin 3 ligjet e statusit. 

Sipas Bulkut, “bllokimi i statusit ka një emër! Dështimi quhet Edi Rama! Shqiptarët këtë nuk ta falin. Shqiptarët duan të bashkohen në Europë, e shoku Rama për të tretën herë i bllokon”. 

Deputetja demokrate deklaroi se “tani është radha e shqiptarëve që me 23 Qershor, me votën e tyre të lirë të refuzojnë Edi Ramën dhe do të rrëzojnë murin e bllokimit”.