SOFJE – AGJENCIA BULLGARE TELEGRAFIKE “NOVINITE.COM” – 10 shkurt 2013 – Një duzinë qytetesh bullgare organizuan të dielën (10 shkurt 2013) një raund të ri protestash kundër rritjes së pashembullt të faturimeve të energjisë elektrike dhe ngrohjes këtë dimër.

Banorë në Sofje, Plovdiv, Varna, Blagoevgrad, Sandanski, Silistra, Goce Delçev, Belene, Shumen, Jambol, Veliko Tarnovo, Burgas, Montana, Dobriç, Kërxhali dhe qytete të tjera kanë organizuar protesta nëpërmjet medieve sociale, pasi disa klientë njoftuan se u në dhjetor u kishin ardhur fatura 100 për qind  më të larta në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ditët e fundit banorë të Blagoevgradit, Goce Delçevit, Shumenit, Sandanskit dhe Petriçit protestuan kundër faturimeve të fryra që u ka bërë ÇEZ Shpërndarja Bullgari. Klientët e zemëruar të kësaj kompanie dogjën publikisht faturat e tyre, duke kërcënuar se nuk do t’i paguajnë më.

Edhe në Veliko Tarnovo u organizua protestë, ku konsumatorët kanë bërë të ditur se faturat e tyre të energjisë elektrike për muajin janar 2013 ishin rreth 200 leva më të larta në krahasim me janarin 2012. Aktivistët nga Plovdivi kërkojnë një kontratë sociale me shpërndarësit e energjisë elektrike.

Banorë të Sofjes janë të pakënaqur nga faturat e dritave, ujit dhe ngrohjes, duke u mbledhur të dielën para ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë, Energjetikes dhe Turizmit. Kompanitë e shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ dhe “Energo-Pro” kanë shpjeguar se faturat më të larta për muajin dhjetor kanë të bëjnë me konsumin në mot të ftohtë, pushimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, si dhe me rritjen e çmimeve të energjisë me gati 14 për qind nga korriku 2012.

Kompania “Energo-Pro” premtoi se do të publikojë informacion të detajuar në lidhje me faturat e energjisë elektrike. Ministria bullgare e Ekonomisë dhe Energjetikës tha se llogaritjen e faturave të energjisë elektrike të konsumatorëve të ÇEZ-it do të shqyrtojë një komitet ekspertësh.

Avokati i Popullit i Bullgarisë Konstantin Pençev tha për televizionin BTV se faturat e energjisë elektrike, ngrohjes dhe ujit ishin të paqarta dhe njerëzit u vunë në dijeni kur u duhej të paguanin.

Mediat bullgare vënë në dukje faktin se protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej se duhej ndjekur shembulli shqiptar për dëbimin e ÇEZ-it nga vendi. / th.m./