*Çdo vit qindra mjekë me përvojë largohen nga Bullgaria. Shumë mjekë të rinj ikin menjëherë pas përfundimit të studimeve. Shkaktare për këtë gjendje janë pagat e ulëta

Pediatria Snezha Teneva (në fotografi), do të duhej të kishte dalë në pension që para një viti. Por ajo vazhdon të punojë me turne në spitalin e Asenovgradit. "Jemi vetëm katër mjekë pediatër këtu. Po të mbeten vetëm tre, atëherë stacioni i fëmijëve duhet të mbyllet", thotë ajo. Për qytetin bullgar me rreth 60.000 banorë dhe vetëm me një spital kjo gjë do të kishte pasoja dramatike.

Shumë nga kolegët e saj kanë emigruar në vitet e fundit, thotë Dr. Teneva. "Edhe unë vetë kam menduar për një kohë të gjatë për këtë. Kam pasur madje edhe një ofertë nga Franca". Por ajo thotë se nuk e ka pranuar. "Po të kisha qenë më e re, patjetër që do të kisha shkuar jashtë. Por tani është tepër vonë."

"Ka humbur besimi"

Gazeta bullgare "168 chasa" parashikon se vendi më i varfër i BE-së Bullgaria do të mbetet pa mjekë në vitin 2020. Që nga viti 2012 rreth 2.000 mjekë bullgarë i kanë kthyer shpinën vendit të tyre. Përveç kësaj gjithnjë e më shumë bullgarë të rinj emigrojnë menjëherë pas përfundimit të studimeve të mjekësisë. Ndërkohë vetëm rreth 500 mjekë të huaj punojnë në Bullgari.

Sot vendi me shtatë milionë banorë ka gjithsej vetëm 28.000 mjekë. Shtatë vjet më parë kishte akoma 35.000. Nuk është çudi që shumë spitale bullgare vuajnë nga mungesa akute e personelit. Prandaj shumë mjekë të vjetër si Dr.Teneva vazhdojnë të punojnë, edhe pasi e kanë arritur moshën e pensionit. Rreth një e katërta e mjekëve që punojnë, janë mbi 60 vjeç.

Dr.Shterju Bojaxhiev ka punuar vite të tëra me Dr.Tenevën në repartin e fëmijëve. Ai tani jeton në Cambridge. Atje ai fiton si neonatolog, mjek për të sapolindurit, dhjetë herë më shumë se në Asenovgrad. Por paga nuk ka qenë për të arsyeja kryesore për të emigruar. "Në Bullgari është përkeqësuar marrëdhënia mes pacientëve dhe mjekëve. Shumë i konsiderojnë mjekët si njerëz të korruptuar dhe zhvatës të babëzitur. Besimi ka humbur. Edhe mediat në vend kanë bërë të vetën", thotë 46-vjeçari. Mjekëve bullgarë shpesh u është ulëritur, apo ata janë sulmuar nga pacientë të paduruar, që nuk kanë respekt për mjekët, ankohet ai. Kjo është e rëndë për t'u duruar."

Protesta të mjekëve bullgarë kundër pagave të ulëta

250 euro në muaj për mjekët e rinj

Neonatologët janë një gjë e rrallë në Bullgari. Sipas të dhënave të shoqatës bullgare të mjekëve në të gjithë vendin kanë mbetur akoma vetëm 42 mjekë të tillë dhe vetëm 28 kirurgë pediatër. Për përmirësimin e gjendjes nuk ka asnjë perspektivë, sepse rreth 90 për qind e mjekëve të rinj sipas sondazheve duan të emigrojnë menjëherë pas ose madje para kryerjes së stazhit si mjekë.

"Në Bullgari, ata do të fitonin rreth 250 euro në muaj si mjekë në praktikë. Në Gjermani nga ana tjetër ata do të fillonin me 3000 euro, ose ndoshta edhe më shumë", thotë Dr.Bojaxhiev. Neonatologu është i zemëruar me kushtet e këqija të punës dhe mungesën e financimeve për spitalet bullgare. Shumë mjekë bullgarë janë të detyruar të punojnë vetëm me një stetoskop. Ata janë si të thuash "magjistarë": "Në Bullgari mungojnë paratë për kontrolle, trajtime të rëndësishme, për ilaçet më të thjeshta dhe për aparatura. Shpesh pacientëve nuk mund t'u jepet ndihma për këto arsye. A e dini se çfarë do të thotë të punosh në një atmosferë të tillë?"

Gjinekologia 50-vjeçare dr Svetlana Molova e konfirmon një gjë të tillë. Edhe ajo ka punuar për vite me rradhë në spitalet e Asenovgradit. Para tre vjetëve ajo ka ardhur në Gjermani dhe ka përmbushur kështu një ëndërr të fëmijërisë të saj: "Unë doja gjithmonë të jetoja në Gjermani këtu është qetësi, siguri, dhe rregull."

"Në Bullgari vetëm për pushime"

Dr.Molova jeton në Nuremberg – në një apartament të sajin. "Unë punoj prej tre vjetësh në Gjermani. Gjatë kësaj kohe ne kemi qenë në gjendje për të blerë një makinë të re dhe për të marrë një kredi për një apartament të bukur në mes të qytetit. Në Bullgari kjo do të ishte e pamundur", thotë ajo. Në Bullgari ajo ka punuar si në spital ashtu edhe në ordinancën e saj private. Burri i saj jepte informatikë në universitetin e shkencave në Plovdiv. "Por kurrë nuk kishim mjaft para, madje edhe për martesën e djalit na u desh të merrnim kredi", kujton ajo. Sot Dr.Molova fiton 70 euro në orë.

Edhe ajo ankohet për kushtet e këqija të punës në Bullgari. Atje mungojnë në radhë të parë paratë, pajisjet mjekësore dhe mundësitë e kualifikimit profesional. "Në këtë kohë të shkurtër në Gjermani unë kam mundur të ndjek shumë më tepër seminare dhe kurse kualifikimi se sa brenda 22 vjetëve në Bullgari." A ka ndërmend të kthehet dikur në vendlindjen e saj? "Unë dua të qëndroj këtu deri në fund të jetës sime. Në Bullgari do të dëshiroja të bëja vetëm pushime", thotë Dr. Molova.

"Prej vitesh nuk kam bërë gjumë si duhet"

Sërish në spitalin në qytetin jugor bullgar të Asenovgradit: Dr.Teneva viziton një pacient të vogël, shumë të tjerë presin në korridor. Pediatria është e lodhur. Përveçse në spital ajo punon edhe një ordinancën e saj private. Prej muajsh thuajse nuk ka asnjë ditë të lirë. Dhe ka vite që nuk është ngopur si duhet me gjumë: "Dikur mësohesh me këtë gjendje", thotë ajo. Por ndoshta Dr.Teneva mund të dalë në pension së shpejti. Disa javë më parë ajo ka mësuar se dy kolegë të rinj do të fillojnë punë në stacionin e tyre si mjekë asistentë. Por pediatria ka frikë se "ndoshta edhe ata do të shkojnë jashtë pas praktikës, si gati të gjithë mjekët e tjerë të rinj bullgarë". Një zhvillim dramatik, që i preokupon shumë njerëzit në Bullgari. DW