Bullizmi apo tallja e adoleshentëve dikur bëhej në ambientet e shkollave, por vitet e fundit është zhvendosur në rrjete sociale.
Të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, me gjuhë urrejtjeje apo skena dhune, adoleshentët dhe të rinjtë bien shpesh pre e dhunës psikologjike dhe çfarë është më e keqja edhe asaj fizike.
“Përmbajtjet me të cilat ato shoqërohen janë përmbajtje të papërshtatshme, përmbajtje ku dhuna është e një niveli shumë të lartë, ku fjalori është vulgar si dhe gjuha e urrejtjes me të cilën ata po ekspozohen çdo ditë e më shumë. Janë pikërisht këto rrjete sociale dhe lojëra që ata zhvillojnë online, që i përfshijnë shpesh në konflikte me persona të panjohur për ta. Ky është një nga rreziqet më të mëdha, pasi përfshihen në konflikt qoftë verbal, qoftë fizik nëpërmjet internetit”,- thotë për “DurrësLajm” psikologia Arjola Percaku.
Të rinjtë e pranojnë se kalojnë shumë orë të ditës në rrjete sociale dhe njohin raste të bashkëmoshatarëve të bullizuar online. Por denoncime në organet e rendit thuajse nuk ka, për shkak të frikës. Në këtë mënyrë shumica e rasteve të bullizimit kalojnë në heshtje dhe pa u trajtuar.
Psikologia Arjola Percaku thotë se fëmijët që janë subjekt i bullizmit performojnë më keq në mësime, por kjo nuk është problematika e vetme.
“Nuk kanë interes për ecurinë mësimore, nuk kanë interes të gjatë për të realizuar detyra, nuk kanë interes të rrinë të shpenzojnë kohë për realizimin e një detyre që kërkon një proces të gjatë analize pune. Filtrat e bukurisë që përdoren në rrjete sociale ose aplikacionet që nuk të paraqesin siç jemi në realitet ka bërë që ato të kërkojnë një vete imagjinare, duke humbur kështu vetëvlerësimin”.
Të dhënat nga katër drejtori rajonale të arsimit parauniversitar në vendin tonë flasin për një trefishim të rasteve të raportuara të bullizmit në pesë vitet e fundit. Nisur nga rastet e vetëvrasjeve për shkak të keqpërdorimit të rrjeteve sociale, disa ekspertë hodhën për diskutim opsionin për mbylljen e Tik-Tok-ut, rrjetit social më të përdorur nga adoleshentët dhe të rinjtë.