BULQIZE, 6 qershor 2013 – Një minator ka mbetur i plagosur sot, gjatë punës në minierën e ACR-së në Bulqizë.
Sipas burimeve nga kjo miniere, mësohet se minatori i plagosur është Sadik Shyti, 43-vjeç.
Ndërkohë, ngjarja konfirmohet edhe nga policia lokale, që saktësoi se incidenti ndodhi në nivelin e 14-te te pusit nr.1.
43-vjeçari punonte si minator shembje në këtë pus, që është pjesa qendrore e minieres, e cila menaxhohet nga ACR-ja dhe aktualisht nen administrimin e “Balfin Grup”.
Kolegë të tij të punës treguan se gjatë punës, një masiv gurësh u shkëputën dhe zuri nën të minatorin.
Dyshohet se në origjinë të këtij aksidenti, është siguria e ulët e kushteve të punës, ndikuar nga amortizimi dhe mosinvestimet kronike për përmirësimin e kushteve të galerive të minierës.
I shoqëruar në spitalin e Bulqizës, ku u konstatua gjendja e rëndë e 43-vjeçarit, Shyti u dërgua me urgjencë me helikopter, në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Shyti është një prej 700 minatorëve, të cilët u futën në grevë urie 3-javore, për të kërkuar rritje page dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë, gjatë vitit 2011.





