TIRANE – Ministri i Kulturës, njëherësh edhe kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi beson se koalicioni ekzistues PD-LSI do të arrijë të sigurojë 75 deputetë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Në këtë intervistë, Bumçi shprehet se përveç arritjeve të qeverisë, mazhorancën e djathtë do ta votojnë prej LSI-së edhe të majtët. 

Z.Bumçi, PD-ja u përfshi kohët e fundit nga një proces i brendshëm zgjedhjesh, pikërisht në ato degë ku rezultoi humbëse në zgjedhjet e fundit lokalë. Dega e PD-së së Tiranës nuk ishte pjesë e këtij procesi, por a po shkon më e konsoliduar drejt zgjedhjeve të 23 qershorit pikërisht dega më e madhe e demokratëve?

 

Mbas 11 vjetësh Bashkia e Tiranës drejtohet nga demokratët. Fitorja në Tiranë ishte shumë e rëndësishme, madje mund të themi dhe historikë, duke u nisur nga shumë arsye. Tirana është kryeqyteti i vendit dhe ne e rifituam mbas 11 vitesh, në një garë ku kryetari i opozitës humbi drejtpërdrejtë. Ky fakt, humbja nominale e Edi Ramës në Tiranë është thelbësor në aksionin e mëtejshëm politik. Edi Rama e krijoi karrierën e tij politikë mbi Tiranën. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, oferta e vetme politikë e Edi Ramës ishte që ai kishte bërë Tiranën dhe si rrjedhim, ai do të bënte Shqipërinë. Kaq i fortë ishte besimi i tij në këtë kartë sa nuk paraqiti as edhe një program të vetëm politik për zgjedhjet e vitit 2009. Besoj që e mbani mend që figura të larta të PS-së deklaruan që kishin hyrë në zgjedhje pa asnjë program. Humbja e Tiranës, tani kur qytetarët saj nuk e votuan më, e ka lënë Edi Ramën praktikisht pa një platformë elektorale.

Është shumë e vështirë të kërkosh vota për të drejtuar vendin, kur qytetarët e Tiranës nuk të besuan më të drejtosh qytetin. E dyta, sot Tirana e drejtuar nga Basha, brenda një kohë shumë të shkurtër, ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme në disa drejtime të rëndësishme dhe shumë domethënëse. Sot kryeqyteti i vendit ka një plan rregullues, të cilin ‘qeverisja e suksesshme’ e Ramës nuk arriti ta realizonte në 11 vjet! Një plan rregullues do t’i kishte lidhur duart Edi Ramës dhe nuk do ta lejonte ta trajtonte qytetin si çifligun e tij. Qytetarët e Tiranës dhe të mbarë vendit e panë se në çfarë gjendjeje te turpshme e la Rama qendrën e Tiranës dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për vitet e fundit. Sot kemi një qendër tërësisht të transformuar, ku mbizotëron në mënyrë të dukshme ana njerëzorë me gjelbërimin dhe lulishtet e shtuara. Po e njëjta gjë vlen edhe për lulishten mbas Pallatit të Kulturës, edhe ajo në qendër të Tiranës, por deri para një viti ishte një hapësirë e shkretë, ku nuk luante asnjë fëmijë, sot e transformuar rrënjësisht. Projekti madhor i zgjerimit të bulevardit të Tiranës nga stacioni i trenit te Lumi i Tiranës, që praktikisht krijon një qytet të ri, do të kemi një Tiranë të re, një pol të ri zhvillimi të qytetit. 

Të gjitha këto, natyrshëm krijojnë një atmosferë shumë më pozitive për zgjedhjet e përgjithshme. Fabula se Edi Rama bëri Tiranën ka rënë. Qytetarët e Tiranës e dinë se gjatë drejtimit të tij, problemet e qytetit erdhën dukë u përkeqësuar, prandaj dhe nuk e votuan më. Për qytetarët e Tiranës, Edi Rama i përket tashmë të kaluarës. Kjo është fryma me të cilën në futemi në zgjedhjet e qershorit. 
 

PD-ja kërkon më 23 qershor edhe votat e socialistëve, por pse duhet t’ju votojnë edhe qytetarët me bindje të majta? 

Ka tri arsye pse një votues i majtë duhet të votojë për koalicionin qeverisës. E para, një votues i majtë, në kuptimin e bindjeve dhe vlerave të majta dhe jo thjeshtë përkatësisë partiakë, do të gjejë se disa nga politikat e koalicionit qeverisës edhe në mandatin e parë janë frymëzuar nga ajo që njihet si ‘fytyra njerëzorë’ e qeverisjes: rritja e ndjeshme e rrogave dhe pensioneve, rritja e mbështetjes financiarë për personat në nevojë dhe kategori të caktuara, kanë rritur ndjeshëm pjesën e buxhetit, që shkon për politikat socialë. E dyta, ky koalicion qeverisës, ku përfshihet edhe LSI si forca e majtë, u ka treguar qytetarëve shqiptarë se, ne jemi të vendosur për të krijuar një konsensus të gjerë në shoqërinë shqiptare për sa i takon integrimit të vendit në BE. Në treguam se ishim të aftë të tejkalonim paragjykime dhe të merrnim përgjegjësitë në një moment kritik për vendin. E treta, sjellja politike e Edi Ramës gjatë këtyre 4 viteve duhet të ketë ndërgjegjësuar edhe votues të majtë se nuk mund të tolerohen më sjellje dhe veprime ekstreme, anarkiste duke dëmtuar interesat e qytetarëve të këtij vendi dhe mbarë shqiptarëve. Nuk mund të harrohen dhe tolerohen dëmi dhe bllokimi që Edi Rama i ka bërë integrimit te vendit në BE për tre vite radhazi. Dhe unë besoj së ashtu siç ndodhi me zgjedhjet lokalë në Tiranë, ku shumë votues të majtë votuan Lulzim Bashën, ashtu do të ndodhë për në zgjedhjet e përgjithshme. 
 

Çfarë rezultati pretendon PD-ja në Tiranë më 23 qershor dhe sa në shkallë vendi? 

Rezultati i zgjedhjeve të 2009 në qarkun ë Tiranës është: 16 deputetë koalicioni i drejtuar nga PD, 1 deputet LSI dhe 15 deputetë koalicioni i drejtuar nga PS. Në qarkun e Tiranës koalicioni i drejtuar nga PD mori rreth 4500 vota më shumë së koalicioni i drejtuar nga PS. Pas ndërtimit të koalicionit me LSI-në, ne jemi 2 deputetë dhe rreth 25000 vota përpara koalicionit të drejtuar nga PS. Ndërkohë janë shtuar dhe dy faktorë të tjerë, që e përforcojnë pozitën tonë në qarkun e Tiranës. Në kemi shtuar koalicionin më dy forca të tjera të qendrës së djathtë siç janë LZHK dhe PDK, me një elektorat të qëndrueshëm në qytetin dhe qarkun e Tiranës, çka do të sjellë një rritje të ndjeshme të votave. E dyta, në hyjmë në këto zgjedhje pasi kemi fituar Bashkinë e Tiranës. Për herë të parë që nga viti 2001, në futemi në zgjedhje duke e pasur Bashkinë e Tiranës të drejtuar nga demokratët. Të gjithë këta faktorë na bëjnë ne të jemi të sigurt në ruajtjen e diferencës aktuale, (17 me 15) dhe të pretendojmë për të kapur deputetin e 18 në qarkun e Tiranës, megjithëse kjo do të kërkojë shumë punë dhe nuk është e lehtë. 

Në nivel kombëtar, në bazë të rezultateve të çdo qarku, dukë iu referuar rezultateve të votimeve në vite, të cilat kanë treguar se ka qëndrueshmëri në sjelljen e zgjedhësve, me luhatje të vogla, koalicioni ekzistues është fitues i sigurt me të paktën 75 deputetë. Ashtu siç i bëjmë ne llogaritë, ashtu i bën edhe z. Rama dhe të tjerët. Rezultatet mund të merren një e nga një dhe të analizohen për çdo qark nga çdo person i interesuar, gjenden në faqen e KQZ. 
 

PD-ja do të shkojë para shqiptarëve më sloganin “Ne jemi ndryshimi, përpara!”, por pas dy mandatesh qeverisje, çfarë do t’u premtojë e djathta shqiptarëve për një mandat të tretë qeverisës? 

Këto tetë vite kanë qenë vitet e ndryshimeve më të mëdha që ky vend ka përjetuar ndonjëherë. Do të përmend vetëm disa fusha: infrastruktura publikë në përgjithësi dhe ajo rrugore në veçanti kanë ndryshuar rrënjësisht. Jo vetëm akset kombëtare, por edhe rrugët ruralë. Kjo qeveri ka bërë të duken normale, të mirëqena, zhvillime që deri pak vite më parë edhe për t’i ëndërruar nuk ishte e lehtë. Rruga dhe tuneli që bashkon kombin, Shqipërinë me Kosovën; tuneli që bashkon Tiranën me Elbasanin dhe shumë shpejt do të nisin edhe tunelet në “Rrugën e Arbrit”. Sot na duken normale, por nuk kanë qenë të tilla, ishim ne që i bëmë të dukën normale, zhvillime të natyrshme. Në fushën energjetike, mbas dekadash që kur u ndërtuar vepra e fundit energjetike, kanë nisur të ndërtohen mbi 70 hidrocentrale, kanë përfunduar shumë prej tyre, si ai i Ashtës. Deri në vitin 2007 rrugët e Tiranës, pa përmendur pjesën tjetër të vendit gumëzhinin nga gjeneratorët, një realitet i harruar. Për herë të parë Shqipëria diskutohet seriozisht të përfshihet në rrjetin ndërkombëtar të kalimit të gazit nga Azerbajxhani në Europë, projekti i TAP-it. Roli i Shqipërisë, konkretisht i kryeministrit Berisha, në këtë projekt ka qënë i jashtëzakonshëm, në shpërpjesëtim me peshën e Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera, ku kalon gazsjellësi si Italia dhe Greqia.

Në arenën ndërkombëtarë ky vend dhe qytetarët shqiptarë nuk kanë qëndruar asnjëherë më me dinjitet dhe më lart se sa qëndrojnë sot. Jemi anëtare e NATO-s, aleancës më të madhe në botë. Udhëtojmë të lirë në Europë, një ëndërr që dukej e pabesueshme deri pak vite më parë. Shqiptarët në rajon nuk janë ndjerë ndonjëherë më afër njëri-tjetrit dhe më me shumë peshë sesa janë sot. Ne jemi në vitin e pestë të krizës ekonomike botërore, një krizë që ka goditur shumë rëndë Europën dhe në mënyrë të veçantë Greqinë dhe Italinë, dy partnerët tanë më të rëndësishëm ekonomikë, me të cilët jemi të lidhur me mijëra fije ekonomike; investimet e huaja, tregtia dhe shkëmbimet, si dhe të ardhurat nga emigrantët. Pavarësisht nga të gjitha këto, Shqipëria ka ruajtur rritje pozitive ekonomike. A ka dëshmi më të fortë se kjo për suksesin e politikave ekonomike të kësaj qeverie? Por oferta jonë nuk është e shkuara. Qeverisja e deritanishme krijon besim, dhe besimi është faktor kyç, se ne garantojmë ndryshimin e këtij vendi dhe në kohë të vështira.

Projekti ynë për katër vitet e ardhshme është ‘Shqipëria, vend i zhvilluar’. Ne kemi përcaktuar qartë fushat në të cilat do të përqendrohen fondet dhe energjitë për katër vitet e ardhshme. E para, përfundimin e investimeve në infrastrukturën publike si investimin më largpamës dhe më të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. E dyta, vazhdimin e nxitjes së investimeve në sektorin e energjisë, për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm në këtë fushë. Me projektin TAP vendi ynë do të futet në një proces të ri, atë të gazifikimit të vendit. E treta, rritjen e ndjeshme të mbështetjes për sektorin bujqësor dhe agrobiznesit dhe duke mbështetur fuqishëm sektorin e turizmit si një fushë me një potencial të jashtëzakonshëm. Ne sot flasim për Shqipërinë turistike, një realitet që nuk ekzistonte 8 vite më parë, por këta janë vetëm hapat e parë në shfrytëzimin e potencialit turistik të vendit. Dhe së fundi, investimet në fushën e teknologjisë së informacionit, aplikimin e teknologjive të reja, e-government, në fushën e taksave, regjistrimit të pasurisë etj., dhënies së shërbimeve dhe informimin e qytetarëve, -Shqipëria dixhitale. 
 

Sa e përcaktuar është PD-ja për koalicionin e ri zgjedhor dhe a do të jetë LSI-ja sërish pjesë e kësaj aleance? 

Qëndrimi i PD-së është i qartë dhe i qëndrueshëm, për konsolidimin e koalicionit ekzistues dhe për zgjerimin e tij me parti të tjera. Ky qëndrim bazohet në dy arsye thelbësore. E para, për shkak të veçorisë së qendrës së djathtë në Shqipëri, e cila përmban brenda vetes një pasuri me nuanca politike dhe identitete historike; një koalicion i gjerë është e vetmja mënyrë se si kjo trashëgimi politike të vijë e plote dhe pa u zbehur në asnjë element përfaqësues. E dyta, ne jemi të vetëdijshëm dhe të bindur se vendi ka nevojë për një konsensus më të gjerë politik se vetëm ai që ofron qendra e djathtë, për të siguruar qëndrueshmërinë e reformave dhe integrimin në BE. Aleanca që ne ndërtuam me LSI-në në 2009-ën e vërtetoi më së miri këtë bindje. Përballë sjelljes anarkiste, të paprecedentë që ofroi Edi Rama mbas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2009, aleanca me LSI-në siguroi qëndrueshmërinë e vendit dhe vazhdimin e reformave.

Një vit mbas ndërtimit të këtij koalicioni ne arritëm liberalizimin e vizave, ëndërr e kahershme e shqiptarëve, të cilët përjetuan izolimin më të thellë. Ky koalicion i gjerë arriti të merrte propozimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat. Me këtë gjykim Brukseli vlerësoi arritjet dhe transformimin e Shqipërisë në të gjitha drejtimet. Kushti i vetëm ishin 3 ligje. Por detyrat e shtëpisë për marrjen e statusit nuk janë 3, por 300, çfarë dëshmon se ne ishim gati, se qeveria kishte përmbushur detyrimet. Bllokimi që Edi Rama i ka bërë vendit në këto tri vite është i paprecedent! Ky koalicion qeverisës siguroi qëndrueshmërinë ekonomike të vendit, në një kohë kur kriza ekonomike ka goditur rëndë vendet fqinje dhe është në vitin e pestë të saj. Të gjitha këto flasin në favor të ruajtjes së koalicionit ekzistues dhe zgjerimit të tij me parti të tjera.