BERLIN, 20 mars 2013 – Të orvatesh të përdhunosh një femër ditën e 8 marsit, kjo është e papranueshme për ushtrinë gjermane.
Komanda e kontingjentit gjerman të Bundesver-it (Bundeswehr), pjesë e forcave të KFOR-it në Prishtinë, ka larguar një ushtarak të vetin dhe ua ka dorëzuar organeve të drejtësisë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një femër kosovare në kampin e Bundesverit, njofton “Spiegel Online”.
Incidenti në kampin “Film City” në Prishtinë, ka ndodhur rreth datës 8 mars 2013.
Mësohet paraprakisht se komanda e trupave gjermanë, në bazë të informacionit të mbledhur, vendosi të dërgojë ushtarin e akuzuar në Gjermani vetëm pas një jave.
Zëdhënësi i Komandës së bashkuar të operacioneve konfirmoi hetimin që po bëhet për incidentin që kishte ndodhur kështu në një objekt kujdesi social të Bundesverit në selinë e trupave të NATO-s.
Ushtaraku i akuzuar, sipas një zëdhënësi, kishte gradë të thjeshtë.
Në Gjermani tani prokuroria e qytetit gjerman të Elvangen-it (Ellwangen) në lindje të Baden-Vyrtembergut (Württemberg) po heton dosjen penale.
Komanda e trupave gjermanë ne Kosovë tha se ka hetuar lidhur me dyshimet për shkelje të nenit mbi “vetëpërmbajtjen seksuale” (sexuelle Selbstbestimmung) ndaj një kolegeje vendase të ushtrisë gjermane.
Me këtë term Kodi Penal nënkupton dhe ngacmimin seksual dhe përdhunimin.
Ushtria informoi parlamentin federal për këtë ngjarje në Kosovë.
Në Kosovë aktualisht ka afër 750 ushtarë gjermanë në kuadrin e forcës ndërkombëtare.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





