Tiranë, 5 shtator 2014 – Miqësoret e Kosovës po tregojnë pak nga pak se cilët futbollistë kanë vendosur t’i japin përfundimisht lamtumirën kombëtares shqiptare të futbollit, për të luajtur me fanellën kosovare. Pas Samir Ujkanit e Loret Sadikut, që janë kthyer në liderët e rinj të përfaqësueses kosovare, dy lojtarë të tjerë që kanë qenë nën vëzhgimin e stafit të kombëtares shqiptare, mbrojtësit Ilir Berisha dhe Leart Paçarada, i janë bashkuar kësaj përfaqësueseje për miqësoren me Omanin.
Ilir Berisha, që aktivizohet prej dy vitesh me Orebro në Suedi, u pajis vitin e kaluar me pasaportën shqiptare dhe shihej nga De Biazi si një alternativë e së ardhmes për kombëtaren shqiptare. Por një dëmtim i gjatë i mbrojtësit dhe qëndrimi për rreth 10 muaj jashtë fushave të lojës, bëri që interesi ndaj 23-vjeçarit të shuhej disi, pasi trajneri i përfaqësueses hodhi sytë drejt lojtarëve që mund të aktivizonte menjëherë. Kjo duket se ka shtyrë Berishën drejt Kosovës, një kombëtare që po provon një numër të madh lojtarësh, duke afruar edhe ata shumë të rinj. Një prej këtyre elementëve të rinj është edhe Leart Paçarada, mbrojtësi 19-vjeçar i Sandhausen. Futbollisti ndiqej nga FSHF-ja me interes dhe një muaj më parë, trajneri i kombëtares U-21, Skënder Gega, udhëtoi drejt Gjermanisë për të takuar lojtarin dhe për ta afruar atë në përfaqësuesen që drejton. Por duket se djaloshi ka preferuar të bëhet që tani protagonist në kombëtaren e madhe të Kosovës dhe jo të ndjekë etapat e zakonshme nëpërmjet përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë. Pikërisht dëshira për të mos kaluar nëpërmjet kombëtares U-21 apo për të mos pritur gjatë për shansin e vet në kombëtaren shqiptare, ka shtyrë edhe ish-kapitenin e Shpresave shqiptare, Imran Bunjaku, të bëhet pjesë e rregullt e Kosovës.
Për shkak të dëmtimeve të shumë lojtarëve që luajnë në kampionatet e njohura europiane, trajneri Albert Bunjaku ka përzgjedhur për këtë miqësore Shkodran Metajn e Flamurtarit dhe Kushtrim Lushtakun e Kukësit nga Kategoria Superiore. Ndërkohë, ai ka afruar nga kampionati kosovar portierët Kushtrim Mushica e Betim Berisha, si dhe mesfushorin Mentor Zhdrella. Megjithatë, dy lojtarët e KF Prishtinës, Mushica e Zhdrella, mund të mungojnë kundër Omanit, pasi një ditë më parë, të shtunën, do të luajnë në ndeshjen miqësore të klubit të tyre kundër turqve të Sivasporit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





