Në fund të muajit maj, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka prezantuar raportin e parë studimor të llojit të tij në Shqipëri, i kryer lidhur me problematikat e personave që vuajnë dënimin “arrest me burg” apo “paraburgim” në Shqipëri.

Ky raport është bazuar në monotorimet që Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kryer gjatë 400 seancave gjyqësore dhe në studimin e 1821 vendimeve gjyqësore të dy Gjykatave më të mëdha të vendit,  Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Durrës.

Raporti ndalet kryesisht në faktin se përdorimi i zgjeruar i arrestit me burg (paraburgimit) shpesh shfaqet si një simptomë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë penale, që ka si pasojë mungesën e mbrojtjes së të drejtave të personave të paraburgosur, duke sjellë potencialisht një trajtim degradues të tyre.

“Shpresojmë që gjetjet dhe rekomandimet e pasqyruara në këtë raport të kontribuojnë pozitivisht për aktorët e sistemit të drejtësisë penale drejt një njohje dhe zbatim më të mirë të legjislacionit procedural-penal si dhe standarteve ndërkombëtare, me qëllim që kufizimi ekstrem i lirisë në kuadër të një procesi penal, veçanërisht në formën e ‘arrestit në burg’ të bëhet në raste përjashtimore”, u shpreh drejtorja ekzekutive e KShH, Erida Skëndaj, në prezantimin e raportit të shkruar.

Një pjesë e institucioneve të sistemit të burgjeve në Shqipëri, duke pasur mangësi dhe kufizime në kapacitetet e tyre akomoduese dhe në infrastrukturë, shpeshherë kanë krijuar një mbipopullim shqetësues të strukturave me të burgosur.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i krijuar që prej vitit 1990, është i përbërë prej një rrjeti intelektualësh dhe ekspertësh, të cilët  bashkëpunojnë për të  vëzhguar dhe monitoruar respektimin e të drejtave të njeriut në vendin tonë me qëllim zhvillimin dhe demokratizimin e Shqipërisë.

Gjatë monitorimeve të këtij Komiteti, është vërejtur se masat e arrestit me burg në Shqipëri janë marrë edhe për vepra penale më të lehta që nuk përbëjnë rrezik të lartë për shoqërinë.

“Në 2015-ën, një vit pas ndryshimeve në Kodin Penal, vërehet një rritje të numrit të ndalimeve/ arrestimeve nga policia dhe prokuroria, për personat e dyshuar për vepra me rrezikshmëri jo të lartë shoqërore, të parashikuara në nenin 137 të Kodit Penal ‘Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike’ dhe nenin 291 ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’ ”, shkruhet në raportin e prezantuar prej ekspertëve të  Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Një tjetër faktor shqetësues është edhe kostoja që ky  numër i lartë i rasteve të paraburgimit i shkakton buxhetit të shtetit.

“Paraburgimi, kur nuk respektohen standartet ndërkombëtare dhe legjislacioni ynë i brendshëm, përveç se rezulton me shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ka gjithashtu një kosto tepër të lartë për buxhetin e shtetit”, saktësohet në raportin e KShH-së.

Kostoja financiare në buxhetin e shtetit, për akomodimin e personave të paraburgosur në vendin tonë për vitin 2019, paraqitet në nivele të larta, përkatësisht rreth 2.29 miliard Lek (të reja).

Shkaku i nivelit të lartë të paraburgimit në vendin tonë, bazuar në monitorimet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, mbetet mbrojtja formale që iu ofrohet personave që kryejnë vepra penale.

Bazuar në të dhënat që ka mbledhur ekipi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, proceset e vëzhguara  dhe vendimet e studiuara evidentojnë se mbrojtja e personave në seancat lidhur me vleftësimin e ndalim/arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ka karakter formal,e si pasojë kjo mbrojtje nuk rezulton cilësore dhe rrjedhimisht nuk është as efektive.

Kjo ka ndikuar negativisht duke sjellë pasoja edhe në nivelet e larta të paraburgimit në vendin tonë.

Për më tepër, vëzhguesit e KShH-së kanë vërejtur tendencën e monopolizimit të skemës për caktimin e avokatëve në  seancat gjyqësore, të cilët kanë qenë pothuaj të njëjtët, në total rreth 6 avokatë.

“Konkretisht, rreth 57.8% e personave janë përfaqësuar me avokat të zgjedhur ndërkohë që vijon të ketë një numër të lartë personash të përfaqësuar me avokat të caktuar, përkatësisht 39%”, theksohet në raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit./ Reporter.al