FIER – Gjykata e Fierit ka dhënë sot masën e sigurisë burg pa afat për dy të rinjtë e arrestuar një ditë më parë nga policia e Fierit, si bashkautorë në vrasjen e 21- vjeçarit, Andi Prifti. 

Andrea Rrapaj 18 vjeç dhe Erald Elmazi 25 vjeç janë vënë në pranga, pasi akuzohen si bashkautorë të vjedhjes dhe vrasjes së 21-vjeçarit Prifti. Policia ka sekuestruar telefonin celular që i përkiste viktimës dhe që e mbanin dy të arrestuarit.

Më herët në pranga u vu 24 vjeçari, Gentjan Shahinaj, ndërkohë që tashmë numri i autorëve të vrasjes makabre ka shkuar në tre. 

Pas arrestimit, policia ka zbardhur detaje mbi vrasjen e 21-vjeçarit. Sipas policisë, Andi Prifti është vrarë në fshatin Hoxharë e Vjetër. Policia ka rikonfirmuar faktin se trupi i pajetë është hedhur në një kanal në komunën Seman, në vendin e quajtur Kulla e Ujit, ku edhe u gjet nga kalimtarë të rastit në 20 janar. 

Andi Prifti sapo kishte fituar një biletë në një pikë bastesh sportive dhe qëllimi për t’i vjedhur sasinë e parave të tërhequra nga bileta fituese ishte arsyeja kryesore e krimit.