Gjykata e Tiranës ka dhënë masën “arrest me burg” për Desara Mançellarin, e akuzuar për shkatërrim prone me zjarr, e cila u arrestua dy ditë më parë, pasi akuzohet se i vuri flakën 4 makinave të familjes së ish-të dashurit të saj.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i saj Ferdinand Doja, ka kërkuar një masë arresti më të butë për 23-vjeçaren. Në sallën e gjyqit ai ka thënë se klientja e tij ka qenë nën presion nga familja e djalit.

“E kanë rrahur tre ditë para ngjarjes”, ka thënë ai, ndërkohë që vetë e akuzuara e ka pranuar akuzën, duke theksuar se e kishte kryer aktin pasi ishte nën presion.

Ndërsa në polici, ajo ka pohuar se gjithçka e ka bërë për hakmarrje ndaj fyerjeve të nënës së tij dhe për shkak se i dashuri e kishte goditur me shpullë. Mesazhet që kanë shkëmbyer në “Facebook”, nga data 21 mars deri më 29 mars, konfirmojnë se ka qenë 23-vjeçarja ajo që vendosi t’i japë fund lidhjes.

Kjo histori, prej së shtunës, është kthyer në ngjarjes e ditës në të gjithë portalet online.