Itali, 11 korrik 2014 – Vrau ish gruan dhe partnerin e ri të saj, dënohet me burgim të përjetshëm shqiptari. Gjykata e Akuilas ka dhënë dënim burg për jetë për 49 vjeçarin Burhan Kapllani që më 17 janar 2013 u mori jetën dy personave të pafajshëm, ish të shoqes së tij Orjeta Boshti, 36vjeçe(ne foto bashke me ish bashkeshortin dhe vrasesin e saj Burhan Kapllani(, dhe të fejuarit të saj të ri me të cilin bashkëjetonte e do të martohej, Shpëtim Hana, 39vjeç.
Kapllani është dënuar me burgim të përjetshëm, me gjashtë muaj izolim të plotë gjatë ditës dhe me heqjen e pushtetit prindëror mbi katër fëmijët të tij të cilëve u vrau nënën.
Sipas prokurorisë së Akuilas, vrasjet kanë qenë të paramenduara.Atë ditë janari, Kapllani është armatosur e me gjakftohtësika pritur që çifti të dilte nga një supermerkatë në Bazzano, e mes dhjetëra dëshmitarësh, ka shtënë dy herë: një plumb gruas e një tjetër të fejuarit të saj që kanë vdekur menjëherë.
“Nuk pranoja dot shkatërrimin e familjes sime” ka deklaruar Kapllani dy ditë pas vrasjes së dyfishtë duke u përpjekur për të justifikuar krimin e rëndë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





