Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë arrest me burg për kujdestaren 44-vjeçare të Shtëpisë së Fëmijës në Durrës, Dafina Fama.

Me kërkesë të Prokurorisë, gjykatësi Rexhep Bekteshi vendosi vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të 44-vjeçares dhe gjykim të drejtpërdrejtë të saj.

Ndërsa avokatja mbrojtëse e Dafina Famës, kërkoi që të konsiderohet i paligjshëm ndalimi i klientes së saj, por kërkesa u rrëzua poshtë.

Mësohet se ajo nuk i ka pranuar akuzat që rëndojnë ndaj saj. Fëmija 3 vjeç e gjysmë që u shfaq me shenja të qarta dhune në fytyrë, sipas avokates, nuk është dhunuar prej kujdestares 44-vjeçare. Mësohet se ajo ka thënë që fëmija ka qenë duke u ndërruar në tualet dhe ka rrëshqitur, e për pasojë i janë shkaktuar ato dëmtime.

Sakaq, vetë e pandehura nuk ishte e pranishme në sallën e gjyqit pasi është e shtruar në spital. Sipas avokates, kujdestarja është në gjendje depresive që në momentin që mësoi se është në ndjekje penale.

Pala mbrojtëse paraqiti në gjykatë kartelën shëndetësore, prova të cilat u administruan gjatë seancës gjyqësore.