28 tetor 2015 – Asnjë nga deputetët socialistë nuk ishte dakort me draftin e qeverisë që propozoi burg për bizneset e paregjistruara apo për ata që nuk lëshojnë kuponin tatimor. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve socialistët e quajtën si masë shumë të rëndë dënimin me burg, kur bizneset nuk lëshonin kuponin, dhe kërkuan që kjo masë të ishte më parë, administrative.

Vasilika Hysi, ka theksuar në ligj duhet të përfshihen edhe rastet e dënimeve me gjoba, kur bëhet fjalë për shifra të vogla parash. Hysi kërkoi të përcaktohej qartë, nëse do të dënohej punonjësi apo administratori i biznesit.

“Përgjegjësia penale, parashikohet atëherë kur më parë është dhënë një masë administrative. Kam sugjerim që të përfshihet dënimi me gjobë në ato raste që kemi të bëjmë me vlera të vogla… Por, gjithashtu, duhet bërë një debat juridik profesional dhe jopolitik për rastin se kush do të mbajë përgjegjësi se në mënyrë të përsëritur nuk lëshon kupon tatimor, do ta mbajë administratori siç e ka ligji, apo do ta mbajë punonjësi”, tha Hysi.

Propozimi i Hysit u mbështet dhe nga deputetët e majtë, Pandeli Majko dhe Petrit Vasili, të cilët kanë kërkuar që neni të riformulohet në mënyrë që të mos ngarkohen me përgjegjësi penale personat e gabuar. Majko kërkoi që të negociohet me qeverinë për këtë pikë, ndërkohë që edhe kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj, tha se qeveria duhet t’i riformulojë nenet pasi janë rënduese për biznesin.

“Kolegët propozojnë që të fusin masë administrative që kjo të mos jetë rënduese që në hapin e parë, por të jetë rënduese për ata që e kanë vijë sjelljeje dhe që e bëjnë me qëllim dhe që i bëjnë karshillëk ligjit dhe shtetit. E gjithë kjo kërkon ristrukturim të këtij neni, mbi atë bazë të ndërtojmë debatin. Nuk ka pse tërhiqet qeveria nga njerëzit që duan të shkelin ligjin, por qeveria është duke parë një pozicion të saj për shkak të asaj që ka ndodhur në zbardhje të ligjit”, tha Xhafaj.

/portali DurresLajm/