12 nëntor 2015 – Një ditë pasi u mësua propozimi i qeverisë për të dënuar me burg deri në tre vjet shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë shtetëror dhe revoltës që u ngrit në rrethin e gazetarëve, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ky nen nuk prek në asnjë pikë median, por shpifja do të shihet si vepër penale për politikanët.
"Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit!", shkruan Rama.
Në një tjetër status të publikuar pak minuta më pas, shefi i qeverisë kërkon ndjesë që ndryshimi i nenit të kërkuar nga Këshilli i Ministrave i hapi rrugë një keqkuptimi të madh me gazetarët, të cilët menjëherë reaguan përmes rrjeteve sociale duke e cilësuar këtë propozim si shtypje e lirisë së fjalës.
"Edhe neni përkatës duhet të reflektojë këtë qëllim që e kam shprehur publikisht me kohë. Ndjesë që ka hapur shteg për një keqkuptim të madh!", shkruan kryeministri.
/portali DurresLajm/