FIER, 01 mars 2013– Prokuroria e Fierit ka kërkuar burg përjetë për 19-vjeçarin Xhevit Malkaj, i cili më 26 tetor të vitit të kaluar ekzekutoi bashkëshortët Enver e Hasbie Myftaraj në fshatin Belishovë të Mallakastrës. Katër muaj pas ngjarjes makabre, ku 19-vjeçari shkoi për të grabitur në dyqanin në pronësi të viktimave, prokurorja e çështjes, Elsa Miho ka deklaruar se Malkaj nuk është fajtor vetëm për "Vrasjen e dyfishtë në rrethana cilësuese", por është fajtor edhe për 4 vepra të tjera penale. Nga ana tjetër pala mbrojtëse e përfaqësuar nga avokatja Brikena Luto ka kërkuar më shumë kohë në dispozicion për të përgatitur mbrojtjen e klientit. Pasi ka dëgjuar palët, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Roland Hysi ka pranuar kërkesën e mbrojtjes dhe e ka shtyrë seancën për në 13 mars.
SEANCA
Seanca për dhënien e dënimit ndaj 19-vjeçarit Xhevit Malkaj, i cili akuzohet për vrasjen e më pas djegien e Enver Myftaraj dhe Azbie Myftaraj, përkatësisht 55 dhe 52 vjeç është shtyrë për në 13 mars. Kjo, pasi avokatja mbrojtëse ka kërkuar më shumë kohë, duke patur parasysh edhe kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar, ç'ka e ul dënimin me 1 të 3-ën. Ndërsa prokurorja e çështjes ka kërkuar burg përjetë për 19-vjeçarin, duke u mbështetur në prova dhe fakte si dhe nga natyra e veprës penale. Sipas palës akuzuese, Xhevit Malkaj nuk është fajtor vetëm për veprën e "Vrasjes së dyfishtë në rrethana cilësuese", por edhe për 4 vepra të tjera penale si "Shkatërrim prone", "Vjedhje", "Vjedhje e mbetur në tentativë", si dhe për "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake". Me gjithë kërkesat e organit të akuzës, gjyqtari Roland Hysi ka vendosur të shtyjë seancën për dhënien e vendimit ndaj vrasësit të çiftit Myftaraj. Ndërkohë në seancën e djeshme, që zgjati vetëm disa minuta kanë qënë të pranishëm edhe familjarët e viktimave.
NGJARJA
Më 26 tetor të vitit të kaluar, Enver Myftari, 55-vjeç e Azbie Myftari, 52-vjeç janë vrarë dhe më pas janë djegur në banesën e tyre në fshatin Belishovë të Mallakastrës. Sipas Policisë së Fierit, 19-vjeçari Malkaj, banor i të njëjtit fshat kishte hyrë në banesën e çiftit me qëllim grabitjen, por është vënë re nga të zotët e shtëpisë dhe ka qëlluar në drejtim të tyre nga një distancë e afërt. Më pas, për të fshehur krimin, 19-vjeçari leu me alkool viktimat dhe u vuri flakën. Policia gjeti gëzhojat e armës në vendin e ngjarjes, duke siguruar provën që plumbi ishte qitur nga arma e gjahut që u gjet në banesën e Xhevit Malkaj. Arma mbahej pa leje nga babai i autorit, Bajram Malkaj.





