Pas shtatë orësh konsultimesh në dhomën e këshillit gjyqësor, Gjykata e Pesaros në Itali, ka dënuar me burgim të përjetshëm shqiptarin Igli Meta, i shpallur fajtor për vrasjen e bashkëkombësit të tij Ismael Luli, 17 vjeç, të cilit i preu fytin për shkak të xhelozisë, raportojnë sot mediet italiane.

Ndërsa bashkëpunëtori i tij gjithashtu shqiptar, Mario Mema, është dënuar me 28 vjet e 4 muaj burg. Ai mohoi të ishte i përfshirë në krim, duke deklaruar se ndodhej larg vendit të ngjarjes. Krimi makabër që tronditi opinionin italian dhe shqiptar ka ndodhur në Sant’Angelo në Vado, më 19 korrik 2015.

Si ndodhi ngjarja

Marjo Mema, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Ismail Lulit, ka deklaruar së fundmi se ka qenë dëshmitar i vrasjes. Por 19-vjeçari ka theksuar se në momentin që Igli Meta goditi 17-vjeçarin Luli me thikë, ai ishte në një distancë prej 20 metrash dhe se nuk mund të bënte asgjë.

Isha rreth 20 metra larg të dyve. Pashë Iglin që vrau me thikë në qafë Ismailin. Nuk mund të bëja asgjë”. Por, kjo deklaratë e tij bie në kundërshtim me atë që ka thënë në fillim, kur tha se gjatë vrasjes ndodhej në makinë. Marjo kërkoi një ballafaqim sy për sy me Igli Metën. Gjatë ballafaqimit në burgun në Pesaro, 19-vjeçari ka treguar se si futën në kurth Ismailin me anë të një mesazhi të dërguar nga Ambera. Pasi shkuan në pyll, Marjo thotë se Igli i ka kërkuar që ta linte vetëm me Ismailin, pasi donte të sqaroheshin. Por, sqarimi mes dy të rinjve çoi në debat, gjë e cila solli dhe zemërimin e Iglit. “Çfarë duhet të bëj?”, i është drejtuar Igli 17-vjeçarit. Igli Meta, sipas Marjos, e goditi 17-vjeçarin, pasi ai nuk pranoi që të lidhej me adeziv në kryq dhe të merrej në pyetje në prani të Amberës.

Skena e krimit

Nga ana tjetër, Marjo ka pranuar se ai ka marrë pjesë në pastrimin e skenës së krimit dhe më pas kanë shkuar në lumë për t’u larë. Igli gjithashtu ka marrë telefonin e Ismailit dhe i ka dërguar mesazh nënës së tij ku i thotë se do të udhëtojë për në Milano për të nisur një jetë të re dhe më pas e ka hedhur telefonin iPhone. Pavarësisht këtyre deklaratave, hetuesit thonë se Marjo Mema ka luajtur një rol aktiv në vrasjen e paramenduar të 17-vjeçarit Ismail Luli. Ndërkohë, jashtë hetimeve janë dy djem të tjerë shqiptarë që ishin në makinë me Iglin dhe Marjon para se këta të shkonin për të takuar Ismailin. Më herët është zbuluar, se në planin e vrasjes ishte edhe një maqedonas, i cili gjithashtu ngacmonte Ambera Smajlin, maqedonasen për të cilën plasi sherri mes shqiptarëve. Vajzës 19-vjeçare i janë sekuestruar dokumentet e identifikimit dhe nuk lejohet të largohet jashtë zonës.

Vrasja e Ismail Lulit ka shkaktuar disa reagime të ashpra në opinionin publik italian, pasi prerja e fytit me thikë u kujton ekzekutimet makabre të ISIS-it. Edhe deklarata e 19-vjeçares se do ta priste gjithë jetën të dashurin e saj, gjithashtu ka shkaktuar reagime të ashpra.