7 tetor 2015 – Një emigrant shqiptar është dënuar me burg përjetë nga një gjykatë londineze, pasi ka goditur me thikë një fqinjin e tij rumun. Gjithçka kishte ndodhur pas një zënke, teksa po luante shah.
Massimo Fishti, mbrëmjen e 25 prillit të këtij viti, goditi për vdekje me thikë në zemër, shtetasin rumun Ioan Suditu, 40 vjeç.
Bashkëshortja e rumunit të vrarë, Iuliana Suditu, në përfundim të procesit gjyqësor u shpreh për mediat britanike:
“Jam prekur në mënyrë ekstreme nga vdekja e bashkëshortit. Ai ishte gjithçka për mua, trau i familjes. Fëmijët e mi, djali 12 vjeç dhe vajza 4 vjeç, janë lënduar gjithashtu nga humbja e babait. Djali im, i cili ishte shumë i lidhur me të atin, nuk dëshiron të studiojë apo të shkojë në shkollë. Ai është i tronditur dhe kur zgjohet nga gjumi, nis e qan. Vajza më pyet çdo ditë se kur do të kthehet babi në shtëpi. Çfarë përgjigje mund t’u jap unë? Planet tona për t’u plakur së bashku, duke parë fëmijët të rriten dhe të martuar, u shuan me vdekjen e burrit tim”, u shpreh e veja.
“Snaresbrook Crown Court”, gjykata në Londër, vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për Massimo Fishtin, me të drejtë daljeje përpara një komisioni vlerësues pas 21 vitesh nga nisja e dënimit.
/portali DurresLajm/